Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shpallur fajtor për akuzat që lidhen me përdorimin e armës dhe bombolës së gazit në Kuvendin e Kosovës.
Gjykata ka caktuar 8 shtatorin si datën kur do të mbahet seanca për caktimin e dënimit për veprën penale.
Rasti lidhet me ngjarjen e 21 marsit 2018, kur në Kuvendin e Kosovës u hodh gaz lotsjellës gjatë seancës për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.
Për këtë rast, përveç Sveçlës, aktakuza e ngritur më 29 korrik 2019 përfshinte edhe ish-deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Salih Zyba.
Gjatë seancës së kaluar, në deklarimin e tij para gjykatës, Sveçla kishte thënë se veprimi i tyre ishte politik dhe se nuk e ndiente veten fajtor.
“Nuk e ndiej veten fajtor. Akti ynë ka qenë një akt tërësisht politik, me qëllim jo të pengojmë personat në kryerjen e detyrës zyrtare, por të parandalojmë faljen ose shitjen e 8 mijë e 200 hektarëve tokë të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Sveçla.
Ndërkohë, Gjykata ka vendosur që procedura penale ndaj Sveçlës të ndahet nga procedura ndaj të pandehurve të tjerë në këtë rast.
Seanca për caktimin e dënimit ndaj ministrit në detyrë është caktuar të mbahet më 8 shtator.

