Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

Hamza paralajmëron ndryshim të kursit të PDK-së: “Nga sot do të veprojmë për rikthimin e ligjshmërisë”

Qendra Info by Qendra Info
05/09/2026
in Lajme
0
Një ftesë e Kurtit për takim mbërrin edhe në PDK
0
SHARES
6
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka paralajmëruar një ndryshim të qasjes politike të PDK-së, duke thënë se partia nuk do ta pranojë normalizimin e asaj që ajo i konsideron shkelje të Kushtetutës dhe të rendit institucional. Ai tha se nga sot PDK-ja do të shqyrtojë forma të tjera të veprimit politik, institucional dhe juridik.

Duke folur në sallën e Kuvendit të Kosovës, Hamza tha se për javë të tëra deputetët e PDK-së kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, respektimin e Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit.

“Për javë të tëra, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë kërkuar atë që nuk do të duhej të kërkohej fare në një shtet demokratik: që të respektohet Kushtetuta, të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të respektohet Rregullorja e Kuvendit dhe t’u mundësohet deputetëve të zgjedhur nga qytetarët që ta ushtrojnë mandatin e tyre”, tha Hamza.

Hamza: Nuk është më thjesht përplasje politike

Kreu i PDK-së tha se situata e krijuar në vend, sipas tij, ka tejkaluar një përplasje të zakonshme mes subjekteve politike.

“Kjo që ka ndodhur nuk është një mosmarrëveshje e thjeshtë politike. Nuk është konflikt mes PDK-së dhe Vetëvendosjes. Nuk është konflikt mes Bedri Hamzës dhe Albin Kurtit. Është konflikt mes një mënyre autoritare të ushtrimit të pushtetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

Hamza kritikoi mënyrën se si, sipas tij, pushteti po i trajton Kushtetutën dhe vendimet e institucioneve të drejtësisë.

“Në demokraci, edhe kur nuk të pëlqen Kushtetuta, nuk e shkel atë. Kur nuk të pëlqen një vendim i Gjykatës Kushtetuese, nuk sillesh sikur ai nuk ekziston. Dhe kur Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës konstaton se deputeti nuk mund ta ushtrojë njëkohësisht edhe funksionin e ministrit, nuk mund të sillesh sikur gjykata nuk ka folur”, tha ai.

Kritika për seancën e 9 shtatorit

Hamza foli edhe për vendimin që seanca konstituive e Kuvendit të vazhdojë më 9 shtator, duke pretenduar se me këtë vendim po tejkalohet edhe një afat që, sipas tij, ishte përcaktuar më herët nga Vetëvendosje.

“Tash, vazhdimi i seancës konstituive është thirrur për 9 shtator, pas afatit prej 30 ditëve që e ka përcaktuar vetë Vetëvendosje. Por Kuvendi i Kosovës nuk mund të presë derisa një parti t’i përfundojë kalkulimet e veta. Kuvendi është institucion i Republikës së Kosovës”, deklaroi Hamza.

Ai tha se institucionet shtetërore nuk mund të mbahen peng të interesave të një partie apo individi.

“Këto institucione nuk janë krijuar për një parti. Janë ndërtuar për një shtet. Dhe ky shtet është shumë më i madh se secili prej nesh. Kosova ka paguar çmim tepër të lartë për institucionet e saj që sot dikush t’i trajtojë ato si peng të interesit të vet politik”, u shpreh ai.

“Durimi institucional nuk është pranim i paligjshmërisë”

Hamza tha se PDK-ja nuk do të pranojë që, sipas tij, shkeljet kushtetuese të shndërrohen në praktikë politike.

“Nuk do të pranojmë që shkelja e Kushtetutës të bëhet praktikë. Nuk do të pranojmë që vendimet e gjykatave të shndërrohen në çështje të vullnetit politik. Nuk do të pranojmë që një kryeministër, kushdo qoftë ai, të mund të vendosë se cili institucion funksionon dhe cili jo”, tha kryetari i PDK-së.

Ai theksoi se kjo çështje, sipas tij, nuk lidhet vetëm me raportet mes opozitës dhe pushtetit.

“Këtu bëhet fjalë për Republikën. Për rendin kushtetues. Për ndarjen e pushteteve. Për autoritetin e gjykatave. Për të drejtën e deputetit që ta ushtrojë mandatin. Dhe, mbi të gjitha, për parimin më elementar të demokracisë: pushteti kufizohet nga ligji. Askush nuk është mbi të”, deklaroi Hamza.

PDK paralajmëron “fazë tjetër” të veprimit

Kreu i PDK-së tha se partia deri tani ka vepruar me përgjegjësi dhe ka kërkuar zgjidhje institucionale, por kjo qasje, sipas tij, nuk duhet të interpretohet si pranim i situatës.

“Durimi ynë institucional nuk duhet të ngatërrohet me pranimin e paligjshmërisë. Prandaj, nga sot, Partia Demokratike e Kosovës do ta rimendojë mënyrën e veprimit të saj”, tha Hamza.

Ai paralajmëroi se PDK-ja do të shqyrtojë forma të tjera të veprimit.

“PDK-ja do të shqyrtojë forma tjera të veprimit politik, institucional dhe juridik për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë dhe për ta kthyer Kosovën në binarët e ligjshmërisë”, theksoi ai.

“Kjo nuk është betejë për pushtet”

Në përfundim, Hamza tha se beteja e PDK-së, sipas tij, nuk është për marrjen e pushtetit, por për përcaktimin e kufijve të tij dhe respektimin e rendit kushtetues.

“Kjo nuk është betejë për pushtet. Është betejë për kufijtë e pushtetit. Sepse sot në pyetje nuk është se kush qeveris. Në pyetje është se si qeveriset. A qeveriset sipas Kushtetutës, apo sipas vullnetit të një njeriu?”, deklaroi ai.

Hamza e mbylli fjalimin duke paralajmëruar se PDK-ja do të kalojë në një fazë të re të veprimit politik, institucional dhe juridik.

“Nga sot fillon një fazë tjetër. Një fazë në të cilën Partia Demokratike e Kosovës nuk do të mjaftohet vetëm duke kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Do të veprojmë. Me përgjegjësi. Me vendosmëri. Me të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale që na i jep rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Ne kemi kërkuar që ligjshmëria të respektohet. Nga sot, do të veprojmë që ligjshmëria të rikthehet”, përfundoi Hamza.Burimi: Paparaci.com

Related

Previous Post

Zbardhen detaje nga dhuna ndaj Edi Kuçit, Jozefin Marku shoqërohet në polici

Next Post

Ermal Sadiku: “Pyetja nuk është vetëm çfarë po i lejoni Kurtit sot, por çfarë po ia lejoni çdo kryeministri pas tij”

Next Post
Sadiku para Kuvendit: Delegatët të votojnë sipas bindjes, LDK-së i duhet lidership që merr përgjegjësi – jo opozitë e VV-së.

Ermal Sadiku: “Pyetja nuk është vetëm çfarë po i lejoni Kurtit sot, por çfarë po ia lejoni çdo kryeministri pas tij”

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.