Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare, ku ka ngritur një sërë akuzash ndaj qeverisë shqiptare.
Berisha e cilësoi situatën në Shqipëri si një nga më të rëndat në historinë e vendit, duke u ndalur veçanërisht te emigracioni dhe pasojat demografike.
Sipas tij, në dekadën e fundit një pjesë e madhe e shqiptarëve janë larguar nga vendi.
“Në 10 vjet, nga ajo e keqe e madhe që i ka rënë vendit, mbi 46% e shqiptarëve nuk janë më në Shqipëri”, deklaroi Berisha.
Ai tha se largimi masiv i popullsisë po ndihet edhe në zonat e thella të vendit, ku, sipas tij, mungojnë banorët dhe fuqia punëtore shqiptare, ndërsa është shtuar prania e punëtorëve të huaj.
Berisha: Krimi i organizuar nuk lejon rotacionin
Berisha akuzoi qeverinë se ka lejuar krijimin e një sistemi të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.
Duke folur për zgjedhjet dhe mundësinë e rotacionit politik, kreu i PD-së tha se krimi dhe korrupsioni kanë ndikuar në funksionimin e institucioneve dhe në proceset zgjedhore.
“Vendos ministrat, vendos drejtorët e policive, vendos zyrtarët, vendos zgjedhjet. Një nga përfaqësuesit më të shquar të Parlamentit Evropian, që kryesoi ekipin e deputetëve evropianë në vëzhgimin e zgjedhjeve, u tha në parlament kolegëve të tij se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit”, tha Berisha.
Ai e cilësoi sistemin aktual si një formë “diktature autokratike”, ndërsa zgjedhjet i përshkroi si “farsë”.
Berisha u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës që t’u paraqesin institucioneve amerikane shqetësimet e tyre për lidhjet e pretenduara mes krimit të organizuar dhe pushtetit.
“Mbi 46% e shqiptarëve janë larguar nga vendi”
Në fjalën e tij, Berisha e vendosi emigracionin në qendër të kritikave ndaj qeverisë.
Ai tha se largimi i shqiptarëve ka krijuar pasoja të mëdha demografike dhe ekonomike, ndërsa paralajmëroi se nëse kjo tendencë nuk ndalet, pasojat do të jenë edhe më të rënda.
“Në pak dekada më vonë ne do të jemi pakicë në vendin tonë”, deklaroi ai.
Berisha e krahasoi situatën aktuale me largimet e shqiptarëve nga Kosova gjatë periudhave të mëparshme, duke pretenduar se numri i shqiptarëve që janë larguar nga Shqipëria gjatë 10 viteve të fundit është më shumë se dyfishi i shqiptarëve të larguar nga Kosova në kuadër të politikave të Jugosllavisë së atëhershme.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për centralizim të pushtetit dhe për mungesë investimesh në zonat rurale.
Akuzat për drogën dhe ekonominë
Berisha foli edhe për ndikimin që, sipas tij, ka pasur trafiku i drogës në ekonomi dhe financa.
“Ky regjim ka një fuqi helmuese të paparë në historinë tonë, dhe kjo fuqi helmuese është droga”, tha ai.
Sipas Berishës, flukset e parave të lidhura me aktivitetet kriminale kanë ndikuar në ekonominë shqiptare dhe në zhvlerësimin e monedhave.
Ai deklaroi gjithashtu se mijëra biznese janë prekur nga zhvlerësimi i monedhës dhe nga pasojat ekonomike që, sipas tij, lidhen me këtë situatë.
“Kjo administratë e SHBA-së e ka marrë seriozisht luftën kundër karteleve”
Gjatë takimit me diasporën, Berisha shprehu bindjen se administrata amerikane e ka marrë seriozisht luftën kundër karteleve të drogës.
“Asnjëherë nuk ka vend për pesimizëm. Ka një gjë shumë të rëndësishme, që kjo administratë e ka marrë në mënyrë shumë serioze luftën kundër karteleve dhe ky është një fat i madh”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, opozita do të bëjë gjithçka për rikthimin e shtetit ligjor dhe garantimin e të drejtës së shqiptarëve për të votuar në mënyrë të lirë.
Berisha: Diaspora ka rol të rëndësishëm
Berisha vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në SHBA dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të saj që të vazhdojnë të informojnë institucionet amerikane për zhvillimet në Shqipëri.
Ai kujtoi kontributin e diasporës në mbështetje të Shqipërisë dhe Kosovës gjatë viteve ’90 dhe tha se një angazhim i ngjashëm nevojitet edhe sot.
“Roli dhe rëndësia e secilit prej jush, në paraqitjen e këtij realiteti para përfaqësuesve tuaj, para zyrtarëve të këtij vendi, është ndihma më e madhe që ju mund t’i jepni Shqipërisë”, tha Berisha.
Në fund, kreu i PD-së tha se vizita e tij në SHBA synon edhe paraqitjen e situatës politike në Shqipëri te partneri kryesor ndërkombëtar.
“Kam shumë besim në mbështetjen dhe në ndihmën e Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se shqiptarët, sipas tij, janë bërë “transportuesit kryesorë të kokainës nga Amerika Latine në Evropë”, duke pretenduar se kjo veprimtari është e lidhur me strukturat e pushtetit.
Berisha e mbylli fjalën duke theksuar se opozita do të vijojë betejën për, siç u shpreh ai, rikthimin në Shqipëri të Kushtetutës, ligjit dhe të drejtave themelore të qytetarëve.

