Kryeministri Edi Rama ka folur për disa prej çështjeve më të diskutuara politike në Shqipëri, në pjesë të një episodi të radhës të podkastit të tij “Flasim”. Në një video të publikuar në Facebook, Rama komentoi një çështje kriminale, ishullin e Sazanit, situatën në Bashkinë e Tiranës, si dhe të ardhmen e tij politike.
Rama foli për një rast që e cilësoi si “krim të mandatuar”, duke pretenduar se njëri prej dy ekzekutorëve është person që ai e njeh.
“Ka qenë një krim i mandatuar dhe një nga dy ekzekutorët është një njeri plotësisht i njohur për mua. Të dy e dinim…”, deklaroi Rama, pa dhënë më shumë detaje në këtë pjesë të videos.
Rama për Sazanin: “Nuk jam shitësi i Shqipërisë”
Kryeministri u ndal edhe te çështja e ishullit të Sazanit dhe debatet rreth tij.
Rama tha se investitorët nuk po blejnë ishullin dhe nuk do të marrin pronësinë mbi të.
“Ata nuk po blejnë ishullin, ata as nuk po marrin pronësinë mbi ishullin. Ai ishull do të jetë pronë e Shqipërisë. Nuk jam shitësi i Shqipërisë”, tha ai.
Kritika ndaj SPAK-ut
Në deklaratat e tij, Rama kritikoi edhe SPAK-un, duke e akuzuar se ka përdorur mediat për të dëmtuar figurën e personave që më pas janë marrë nën akuzë.
“Kjo është një nga gjërat më të këqija që ka bërë SPAK-u, që ka përdorur mediat për të baltosur ata që do të merrte nën akuzë. Kjo nuk bëhet”, u shpreh Rama.
Ai foli edhe për një periudhë të mëparshme të karrierës së tij politike, duke thënë:
“Koha tregoi që unë kisha investuar në një maskë karnavalesh.”
Rama për Bashkinë e Tiranës: “Një eksperiment social, politik dhe ekonomik”
Duke komentuar situatën në Bashkinë e Tiranës, pas arrestimit dhe qëndrimit në burg të kryebashkiakut Erion Veliaj, Rama e cilësoi situatën si një eksperiment të pazakontë.
“Bashkia nuk ka kokë, domethënë është një eksperiment social, politik dhe ekonomik që një kryeqytet të drejtohet pa kokë”, deklaroi kryeministri.
Rama foli edhe për Veliajn, duke e përshkruar si një figurë me potencial të madh politik.
“Ishte një talent, talent i madh politik, që nuk e mbajti dot peshën. Pushteti është një kafshë e përbindshme. Ka ngrënë e ka futur nën vete shumë burra”, tha Rama, pa specifikuar se për cilin politikan apo politikanë të tjerë i referohej.
“Nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës”
I pyetur nëse do të ketë një pasardhës politik, Rama tha se nuk ka ndërmend të zgjedhë personin që do ta pasojë në krye të qeverisë apo të Partisë Socialiste.
“Ai që të sfidon dhe bëhet pasardhës, ai duhet të të vrasë. Unë personalisht nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës. Në momentin që unë e kapërcej pragun e asaj dere, ju do të shpëtoni nga unë”, deklaroi Rama.
Deklaratat janë pjesë e materialit që pritet të publikohet në podkastin e kryeministrit “Flasim”, ku Rama trajton tema politike dhe zhvillime të aktualitetit shqiptar.
