Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka konfirmuar se grupi parlamentar i kësaj partie do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të mbahet të mërkurën.
Lushaku i bëri këto deklarata pas përfundimit të mbledhjes së LDK-së, ku është diskutuar për situatën institucionale dhe vazhdimin e seancës konstituive.
Ajo tha se vendimi është marrë me qëllim që deputetët e LDK-së të kontribuojnë në konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.
“Vendosëm si grup të marrim pjesë në seancë dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit, meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e saj.”
Lushaku theksoi se LDK-ja ka kërkuar vazhdimisht që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt dhe institucioneve t’u rikthehet funksionaliteti.
“Kemi bërë thirrje që të konstituohet Kuvendi sa më parë të jetë e mundshme dhe institucioneve t’u kthehet funksionaliteti i tyre, prandaj vendosëm të marrim pjesë në seancë dhe të japim kontributin tonë për t’i dhënë institucione Kosovës”, deklaroi ajo.
Grupi parlamentar i LDK-së u mblodh në selinë e partisë
Grupi parlamentar i LDK-së është mbledhur sot në selinë e partisë, ku ndër temat kryesore të diskutimit ishte vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit.
Pas mbledhjes, Lushaku konfirmoi qëndrimin e grupit parlamentar për pjesëmarrje në seancën e së mërkurës, në një kohë kur Kosova vazhdon të përballet me vonesa në konstituimin e institucioneve të reja.

