Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, të cilët dyshohet se kanë kryer vjedhje në disa lokacione, përfshirë objekte me rëndësi të veçantë, si xhamitë, në territorin e Komunës së Lipjanit.
Sipas njoftimit të Policisë, më 5 shtator 2026, Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Ferizaj, në asistencë të Njësitit të Hetimeve të Stacionit Policor në Lipjan, ka realizuar një kontroll në një lokacion në qytetin e Ferizajt.
Arrestohen dy të dyshuar
Si rezultat i veprimeve hetimore, janë arrestuar dy persona, të dyshuar për përfshirje në disa raste të vjedhjeve të rënda.
Policia dyshon se të arrestuarit kanë kryer vjedhje në disa lokacione të ndryshme, përfshirë objekte me rëndësi të veçantë – xhami në territorin e Komunës së Lipjanit.
Gjatë verifikimit të të dyshuarve, është konstatuar se A.M., 39 vjeç, dhe B.K., 31 vjeç, dyshohet se janë të përfshirë edhe në rastin e “Vjedhjes së rëndë”, të raportuar më 5 shtator në Xhaminë e fshatit Nikadin, në Komunën e Ferizajt.
Të dyshuarit i dorëzohen hetuesve në Lipjan
Pas arrestimit, të dyshuarit janë dorëzuar për procedura të mëtejshme te Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Lipjan.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në parandalimin, hetimin dhe kapjen e kryerësve të veprave penale.
Të arrestuarit konsiderohen të dyshuar dhe vlefshmëria e përgjegjësisë së tyre penale do të përcaktohet nga organet kompetente përmes procedurës ligjore.

