Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot, më 9 shtator, në orën 11:00, ndërsa në rend dite është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në këtë seancë, Lëvizja Vetëvendosje pritet të rikandidojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit. Ndërkaq, PDK-ja pritet të propozojë Vlora Çitakun për nënkryetare, ndërsa LDK-ja Kujtim Shalën.
Seanca po zhvillohet në një situatë të ndërlikuar politike, pasi ende nuk është e qartë nëse do të sigurohen votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Disa analistë dhe njohës të çështjeve kushtetuese e kanë vlerësuar këtë seancë si të parakohshme dhe si një veprim politik të partisë në pushtet.
Në anën tjetër, Aleanca ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në seancën konstituive. Pas mbledhjes së Kryesisë, kreu i kësaj partie, Ardian Gjini, ka thënë se ky ka qenë qëndrimi i përgjithshëm i partisë, ndërsa vetëm një anëtar i Kryesisë ka pasur mendim ndryshe.
Sipas Gjinit, Kuvendi mund të konstituohet edhe sot, por nëse kjo ndodh pa u respektuar ajo që Aleanca e konsideron si procedurë kushtetuese, atëherë çështja mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Seanca e sotme pritet të jetë një tjetër përballje politike mes partive parlamentare, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të arrihet konsensusi i nevojshëm për përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

