Deputeti Eman Rrahmani ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se, pavarësisht retorikës patriotike, gjatë qeverisjes së saj janë ndërmarrë një sërë veprimesh që, sipas tij, kanë qenë në interes të Listës Serbe dhe komunitetit serb në Kosovë.
Rrahmani ka renditur disa prej vendimeve dhe veprimeve që, sipas tij, dëshmojnë këtë qasje.
Ai përmendi dhënien e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit dhe ndarjen e 146 mijë eurove për Dioqezën Rashkë-Prizren.
Sipas Rrahmanit, Qeveria ka pranuar edhe Marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Brukselit, për të cilat ai pretendon se janë më të dëmshme për Kosovën sesa “Zajednica”, duke nisur edhe zbatimin e tyre.
Rrahmani ka deklaruar gjithashtu se Vetëvendosje ka qeverisur së bashku me Listën Serbe nga viti 2021 deri më 5 nëntor 2022, kur përfaqësuesit e Listës Serbe dhanë dorëheqje.
Ai ka kritikuar edhe Ligjin për Shtetësinë, duke pretenduar se ai është votuar bashkë me Listën Serbe dhe se u mundëson edhe pasardhësve të personave që ai i cilëson si “kriminelë” të marrin shtetësinë e Kosovës.
Një tjetër çështje e ngritur nga Rrahmani është njohja e dokumenteve të gjendjes civile të lëshuara nga strukturat paralele serbe.
“Pra, krejt puna që e kanë bërë strukturat paralele kanë me i njohë institucionet e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Rrahmani ka kritikuar edhe mënyrën se si Vetëvendosje dhe përfaqësuesit e saj i referohen komunitetit serb në Kosovë. Ai ka përmendur deklaratat e Glauk Konjufcës për “popullin serb në Kosovë”.
Sipas tij, komunave me shumicë serbe u janë ndarë buxhete që, për kokë banori, arrijnë deri në trefishin e buxheteve të disa komunave me shumicë shqiptare.
Ai ka ngritur pretendime edhe për pagesa prej mbi 3.5 milionë eurosh për pjesëtarë të strukturave paralele, të cilët, sipas tij, pretendohet se nuk kanë qenë fare në punë.
Rrahmani ka thënë gjithashtu se mbi 3 milionë euro u janë ndarë organizatave serbe në Kosovë, ndërsa ka pretenduar se edhe mediat serbe në Kosovë janë financuar me dhjetëra mijëra euro.
“Dhe në fund, pasi i bëjnë krejt këto, dalin e shesin patriotizëm!”, ka deklaruar Rrahmani.

