Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për krijimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se Kosova në atë kohë ndodhej “mes dy zjarresh” dhe se vendimi për themelimin e saj ishte, sipas tij, “e keqja më e vogël” për vendin.
Në një intervistë për emisionin “Top Story” nga Haga, pak ditë para shpalljes së vendimit përfundimtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Thaçi ka treguar për herë të parë pas një periudhe të gjatë se si e sheh vendimin e atëhershëm për krijimin e kësaj gjykate.
“Kosova ishte midis dy zjarresh: të themelonte gjykatën bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, ose të lejonte formimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së”, ka deklaruar Thaçi.
Sipas tij, Kosova u përcaktua për alternativën që e konsideronte më pak të dëmshme për vendin.
“U përcaktuam për të keqen më të vogël për Kosovën. Kështu e evituam Rusinë dhe Kinën nga procesi; sikur të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën në kuptimin legal, politik dhe historik”, është shprehur ai.
Thaçi ka thënë se nuk dëshiron të flasë për rrethanat e hollësishme që çuan deri te krijimi i Gjykatës Speciale, duke e përshkruar procesin si të gjatë dhe kompleks.
“Për rrethanat thelbësore të ardhjes deri te formimi i kësaj gjykate dhe ecurinë e mëpastajme, si një proces i gjatë dhe intrigues, nuk mund dhe nuk dua të flas”, ka deklaruar Thaçi.
Ish-presidenti ka thënë se në atë kohë ishte i zotuar që vendimet e tij të mos i shkaktonin dëm Kosovës. Ai ka lidhur situatën e sotme personale me atë vendim.
“Isha i zotuar nga ana ime të mos i ndodhte asgjë e keqe Kosovës. Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time. Por, kapërcehet edhe kjo vështirësi”, ka thënë Thaçi.
Më 16 shtator, në Hagë pritet të shpallet verdikti përfundimtar ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim prej gati gjashtë vitesh.Burimi: Top Chanel – Top story.

