Një 46-vjeçar shqiptar është dënuar me gjashtë vite burg në Austri, pasi është shpallur fajtor për vjedhjen e nëntë banesave në rajonin e Vorarlbergut.
Vjedhjet janë kryer gjatë muajve korrik dhe gusht të vitit 2025, ndërsa dëmi i shkaktuar llogaritet në rreth 14 mijë euro. Sipas mediave austriake, në vjedhje dyshohet se ka marrë pjesë edhe një bashkëpunëtor.
46-vjeçari është cilësuar si “turisti i vjedhjeve”, ndërsa gjatë hetimeve dyshohet se kishte përdorur edhe një identitet të rremë.
Gjurmët e ADN-së të gjetura në vendet e ngjarjeve çuan autoritetet te shqiptari. Ai ishte shpallur në kërkim përmes një urdhër-arresti evropian dhe që nga marsi i këtij viti ndodhej në paraburgim në institucionin korrektues në Feldkirch.
Para trupit gjykues, 46-vjeçari ka shprehur pendesë dhe ka deklaruar se dëshiron të ndryshojë jetën e tij, duke përmendur edhe dy fëmijët e tij.
“Sigurisht që dua të ndryshoj, në fund të fundit kam dy fëmijë”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, gjatë procesit gjyqësor është bërë e ditur se shqiptari kishte probleme me lojërat e fatit dhe rreth 12 mijë euro borxhe ndaj bankave.
Gjithashtu, ai nuk ishte i panjohur për drejtësinë. Më herët, 46-vjeçari ishte dënuar me burgim për vepra të ngjashme në Suedi dhe Danimarkë.
Gjykata austriake e ka dënuar me gjashtë vite burg për rastet e vjedhjeve në Vorarlberg.

