Kuvendi i Kosovës ka vazhduar sot seancën konstituive, me pikën e vetme të rendit të ditës, zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Pas dështimit të zgjedhjes së Vlora Çitakut nga radhët e PDK-së në postin e nënkryetares, deputetët e PDK-së kanë lëshuar sallën ku po mbahej seanca.
Pas këtij zhvillimi, lideri i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se situata në të cilën ndodhet vendi është shqetësuese dhe se, sipas tij, po dëmtohet funksionimi institucional.
“Vendi është futur në një situatë të panjohur dhe po dëmtohet. Nuk po u bëjnë përshtypje anarkia totale dhe mosrespektimi i Kushtetutës. Ne do ta dërgojmë rastin në Gjykatën Kushtetuese”, tha Hamza.
Ndërkohë, meqë nuk pati dakordim për votimin në pako të kandidatëve për nënkryetarë, deputetët kanë votuar veç e veç për secilin kandidat.
Me 101 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

