Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se votimi i kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nuk u bë në pako për shkak të qëndrimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Vetëvendosje e pamundësoi votimin në pako. Ishte vendim i deputetëve të VV-së”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.
Ajo ka theksuar se e drejta për propozimin e kandidatëve për nënkryetarë është e drejtë ekskluzive e partive parlamentare.
Lushaku-Sadriu ka bërë të ditur gjithashtu se LDK-ja ka marrë vendim për të përkrahur propozimet e grupeve të tjera parlamentare për këto pozita.
Deklarata e saj vjen gjatë seancës konstituive të Kuvendit, ku deputetët po votojnë veç e veç për kandidatët për nënkryetarë, pasi nuk pati dakordim për votimin e tyre në pako.

