Ka dështuar sërish zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës. Pas zgjedhjes së Ardian Golës nga Lëvizja Vetëvendosje si nënkryetar, kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, nuk ka marrë votat e mjaftueshme për këtë pozitë.
Pas dështimit të votimit, deputetët e PDK-së kanë lëshuar sallën, ndërsa seanca konstituive e Kuvendit është ndërprerë.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se VV-ja do ta votojë një kandidat tjetër të PDK-së për nënkryetar, por jo Vlora Çitakun.
“VV do të votojë një kandidat të PDK-së për nënkryetar. Por nuk mund ta votojmë zonjën Çitaku dhe nuk vazhdojmë tutje në këtë situatë. Nuk votojmë dikë që ka synim të na dërgojë në zgjedhje. PDK-ja duhet të propozojë një nënkryetar, këdo që ata e vlerësojnë. I ftoj kolegët nga PDK-ja dhe LDK-ja që të na mundësojnë që ta konstituojmë Kuvendin”, ka deklaruar Nagavci.
Seanca konstituive është ndërprerë pas përplasjes rreth votimit të kandidatëve për nënkryetarë, ndërsa mbetet e paqartë se si do të procedohet më tej me konstituimin e Kuvendit.

