Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur mbështetjen e tij për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, në prag të përfundimit të procesit gjyqësor.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar procesin si “farsë” dhe ka deklaruar se, sipas tij, liria e ish-presidentit Hashim Thaçi nuk mund t’i merret nga askush.
“Liri për çlirimtarët! Farsa është në ditët e fundit dhe gjithçka pret njeriu nga autorët e saj, por siç e ka thënë vetë Hashimi, lirinë nuk ia merr dot askush, askund”, ka shkruar Rama.
Ai ka krahasuar fatin e Thaçit me atë të Kosovës, duke thënë se ish-presidenti do të triumfojë “me forcën e së vërtetës”.
“Ashtu si Kosova triumfoi duke besuar te liria edhe kur s’kishte askënd e asgjë përpos etjes së vet për liri, ashtu do të triumfojë edhe Hashim Thaçi me forcën e të vërtetës së tij, të cilën vitet e burgut veç e kanë bërë më të madhe bashkë me mbështetjen e krejt shqiptarisë”, ka deklaruar Rama.
Thaçi, së bashku me Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin, po përballet me proces gjyqësor para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ndërkohë, sot në Prishtinë mbahet “Marshi për Liri”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

