Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se çdo vendosje e trupave ushtarake evropiane në territorin e Ukrainës do të konsiderohej nga Moska si “luftë kundër Rusisë”.
Deklarata e Putinit është bërë gjatë vizitës së tij në Nju Delhi, ku ndodhet për samitin e BRICS-it, ndërsa iu referua diskutimeve të liderëve evropianë për mundësinë e dërgimit të forcave ushtarake në Ukrainë.
“Ata deklarojnë se po shqyrtojnë mënyrën se si të dërgojnë trupa në territorin ukrainas. Kjo do të thotë luftë kundër Rusisë”, deklaroi Putin, sipas agjencive ruse të lajmeve.
Në të njëjtën kohë, presidenti rus tha se Moska nuk ka ndërmend të kërcënojë vendet evropiane dhe se nuk sheh arsye për një përplasje të drejtpërdrejtë me Evropën.
“Ne nuk kërcënojmë dhe nuk kemi ndërmend të kërcënojmë vendet evropiane. Pse do ta bënim këtë? Askush nuk e kupton se nuk kemi asnjë arsye për t’u përplasur me Evropën”, u shpreh ai.
Putin akuzoi gjithashtu liderët evropianë se po përpiqen të frikësojnë popullsinë e tyre duke përdorur atë që ai e cilësoi si një “kërcënim imagjinar nga Rusia”.
Sipas presidentit rus, një kërcënim i tillë “nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar kurrë”.
Deklaratat vijnë në një periudhë kur vendet evropiane po diskutojnë garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe rolin që mund të kenë forcat evropiane në një marrëveshje të mundshme për përfundimin e luftës.

