Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë sot, ndërsa në rend dite është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Seanca është thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas dështimit të votimit të Vlora Çitakut të PDK-së në seancën e së premtes.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan gjatë votimit për Çitakun, duke bërë që kandidatja e PDK-së të mos i marrë votat e nevojshme për zgjedhjen në pozitën e nënkryetares.
Në të njëjtën seancë, Kuvendi arriti të zgjedhë Ardian Golën nga LVV-ja në pozitën e nënkryetarit.
Pas dështimit të votimit të Çitakut, PDK-ja vendosi të mos marrë pjesë në seancat e mëtejshme konstituive të Kuvendit dhe paralajmëroi se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Pak orë më vonë u thirr edhe një seancë tjetër, por deputetët e PDK-së nuk morën pjesë.
Ndërkohë, LDK-ja deklaroi se kandidatura e Kujtim Shalës nuk mund të hidhet në votim pa u votuar paraprakisht kandidatura e PDK-së, duke kërkuar që procesi të zhvillohet sipas radhës.
Megjithatë, mbrëmjen e së dielës, LVV-ja njoftoi se do t’i votojë të dy kandidatët për nënkryetarë, Vlora Çitakun e PDK-së dhe Kujtim Shalën e LDK-së.
Me këtë zhvillim, seanca e sotme pritet të përcaktojë nëse do të arrihet marrëveshja e nevojshme për përfundimin e procesit të zgjedhjes së nënkryetarëve dhe avancimin e konstituimit të Kuvendit.

