Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka shpallur të konstituuar Kuvendin, pavarësisht se nuk është zgjedhur nënkryetari i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Pas zgjedhjes së Emilia Rexhepit si nënkryetare e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joserbe, Haxhiu deklaroi se Kuvendi tashmë konsiderohet i konstituuar.
“Me këtë rast, konstatoj që Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet i konstituuar dhe shihemi në seancën e radhës”, tha Haxhiu.
Paraprakisht, në postin e nënkryetarëve ishin zgjedhur Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Tanja Vujeviq nga Lista Serbe.
Deputetët e PDK-së dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk morën pjesë në vazhdimin e seancës konstituive.
PDK-ja, para vazhdimit të seancës, kishte njoftuar se e pezullon kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Partia kishte paralajmëruar se çështjen do ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese, pasi të premten LVV-ja nuk e kishte mbështetur kandidaturën e Çitakut për këtë post.

