Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës.
Abdixhiku ka vlerësuar se Sejdiu ka treguar “dinjitet” me vendimin e tij, duke thënë se pikërisht për shkak të karakterit të tij ai do të ishte zgjedhja e duhur për president.
“Bekim Sejdiu tregoi dinjitet. Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë, do të ishte zgjedhja e duhur për President”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka shprehur keqardhje që Kosova aktualisht nuk ka president dhe se, sipas tij, në vend të një zgjidhjeje politike është krijuar kaos, bllokadë institucionale dhe rruga drejt zgjedhjeve të reja.
“Keqardhje që sot nuk kemi President. Që në vend të një zgjidhjeje kemi kaosin politik, bllokadën si mjet dhe zgjedhjet e reja, edhe një herë, si qëllim”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka kritikuar gjithashtu sulmet ndaj Sejdiut gjatë procesit, duke thënë se ai është bërë padrejtësisht shënjestër e sulmeve politike.
“Keqardhje edhe për Bekimin, që padrejtësisht u bë shënjestër e sulmeve të paprecedenta për mbytjen e karakterit të tij. Përbaltja e tij kishte të bënte më së paku me të”, ka shkruar kryetari i LDK-së.
Sipas Abdixhikut, urrejtja dhe inati personal janë bërë më të forta se përgjegjësia ndaj vendit.
“Kjo është PISA politike e Kosovës. Me rëndësi të rrënojmë çdo përpjekje normale sot! Bllokohemi, ngecim, urrejmë, mbysim karaktere dhe përfundojmë sërish në zgjedhje”, ka shkruar ai.
Në fund, Abdixhiku e ka falënderuar Sejdiun për gatishmërinë për të marrë përsipër kandidaturën dhe për qëndrimin e tij gjatë këtij procesi.
“Të faleminderit Bekim për gadishmërinë dhe dinjitetin e treguar në vazhdimësi. Në kohë të politikës së sotme, këto virtyte janë vlerë”, ka përfunduar Abdixhiku.

