Bekim Sejdiu është tërhequr nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës, duke thënë se mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjet politike kanë ndikuar në vendimin e tij.
Sejdiu ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se rreth dy javë më parë ishte kontaktuar nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët e kishin ftuar në një takim me delegacionet e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, në atë takim ishte njoftuar se, pas një procesi të gjatë bisedimesh, dy partitë kishin arritur pajtueshmëri që emri i tij të propozohej si kandidat jopartiak për president të Kosovës.
Sejdiu tha se e kishte pranuar kandidaturën me synimin për të kontribuar në zhbllokimin e ngërçit institucional, duke theksuar se nuk kishte pasur ambicie për poste publike përtej angazhimeve të tij akademike dhe profesionale.
Megjithatë, ai vlerësoi se procesi politik kishte devijuar dhe se nuk ishte siguruar mbështetja e nevojshme parlamentare për zgjedhjen e tij.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sejdiu.
Ai bëri të ditur se për vendimin kishte njoftuar më herët përfaqësuesit e LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Sejdiu ka falënderuar gjithashtu kolegët, miqtë, personalitetet publike, shoqërinë civile dhe veçanërisht mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që, sipas tij, i është ofruar gjatë ditëve të fundit.
Në mesazhin e tij, ai u ka bërë thirrje partive politike që të tregojnë maturi dhe të gjejnë një zgjidhje për krizën institucionale.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”, ka shkruar Sejdiu.
Ai e ka përmbyllur deklaratën duke thënë se Kosova është “shtëpia jonë e përbashkët” dhe se qytetarët dhe institucionet kanë përgjegjësi për t’i shërbyer vendit.

