Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë lidhur me demonstrata të planifikuara për të mërkurën, më 16 shtator 2026, në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës.
Sipas njoftimit, disa organizata po planifikojnë demonstrata që mund të sjellin turma të mëdha, mbyllje të rrugëve dhe ndërprerje të konsiderueshme të trafikut.
Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të shmangin zonat ku priten protestat dhe, nëse është e mundur, të kufizojnë udhëtimet në zonat e afërta me vendbanimin e tyre.
Gjithashtu, këshillohet shmangia e udhëtimeve drejt vendeve të punës apo shkollave nëse rruga kalon nëpër zonat ku priten tubime, pasi ndërprerjet e trafikut mund të shkaktojnë vonesa të mëdha.
Personelit të qeverisë amerikane i është kërkuar të shmangë të gjitha udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave. Për shkak të mundësisë së ndërprerjeve të trafikut, personelit amerikan i është rekomanduar gjithashtu që të mos i dërgojë fëmijët në shkollë më 16 shtator.
Ambasada Amerikane në Prishtinë do të jetë e hapur, ndërsa shërbimet konsullore do të ofrohen në mënyrë të kufizuar, sipas nevojës.
Ambasada këshillon qytetarët që:
- të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat;
- të tregojnë kujdes nëse ndodhen papritur pranë tubimeve ose protestave të mëdha;
- të jenë të vëmendshëm ndaj situatës dhe mjedisit përreth.
Për raste emergjente, Ambasada Amerikane në Prishtinë mund të kontaktohet në numrin +381 38 5959 3000, ndërsa Departamenti i Shtetit për Çështjet Konsullore është i qasshëm në numrat 888-407-4747 dhe 202-501-4444.
Ambasada u ka rekomanduar gjithashtu qytetarëve amerikanë të regjistrohen në Programin e Regjistrimit të Udhëtarëve të Mençur (STEP), për të marrë njoftime dhe përditësime lidhur me sigurinë.

