Bashkimi Evropian është në dijeni të konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë së re, por ka bërë të qartë se vlerësimi për kushtetutshmërinë e këtyre veprimeve i takon Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë për Radion Evropa e Lirë se BE-ja është në dijeni të votimeve të së dielës, më 13 shtator, si dhe të vendimeve për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
“Jemi në dijeni të votimeve të së dielës, si dhe vendimeve për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Gjithashtu, jemi në dijeni edhe për kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e këtyre vendimeve. I takon Gjykatës Kushtetuese të shprehet për kërkesën e paraqitur”, ka deklaruar zëdhënësi.
BE-ja ka theksuar gjithashtu nevojën që Kosova të ketë institucione plotësisht funksionale dhe të konsoliduara, në mënyrë që të avancojë reformat dhe procesin e integrimit evropian.
“Institucione plotësisht të konsoliduara” nevojiten, sipas BE-së, për të çuar përpara reformat dhe për të avancuar në rrugën e integrimit në BE, përfshirë edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në seancën konstituive të 13 shtatorit, Kuvendi zgjodhi nënkryetarët nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, komunitetit serb dhe komuniteteve joserbe. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli Kuvendin të konstituuar, ndonëse nuk u zgjodh nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
PDK-ja kishte tërhequr më herët kandidaturën e Vlora Çitakut për këtë pozitë, pasi kandidatura e saj nuk ishte votuar në seancën e 11 shtatorit. LVV-ja më pas deklaroi se do ta mbështeste Çitakun, por PDK-ja nuk mori pjesë në seancën e 13 shtatorit.
Pak orë pas konstituimit të Kuvendit, u mbajt seanca e jashtëzakonshme ku u votua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, ndërsa Qeveria u votua nga deputetët e LVV-së dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
PDK-ja e dërgon çështjen në Kushtetuese
Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, PDK-ja iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme, deri në shqyrtimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të Kuvendit.
Deputetët Arian Tahiri dhe Përparim Gruda, së bashku me avokatin Faton Fetahu, e dorëzuan kërkesën të hënën në mëngjes në emër të PDK-së.
PDK-ja pretendon se LVV-ja ka shkelur afatin kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, si dhe procedurën për thirrjen e seancave çdo 48 orë deri në konstituimin e tij.
Tahiri ka deklaruar se vendosja e masës së përkohshme është e rëndësishme për të shmangur, sipas tij, dëme dhe situata më të rënda në aspektin juridik dhe institucional.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Sipas PDK-së, ky afat ka përfunduar më 7 gusht 2026.
Ndërkohë, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se Kuvendi është konstituuar në shkelje të Kushtetutës.
Përfundimin përfundimtar mbi kushtetutshmërinë e veprimeve të institucioneve të reja, megjithatë, pritet ta japë Gjykata Kushtetuese.

