Në Hagë pritet të shpallet sot vendimi në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Katër ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së kanë qëndruar rreth gjashtë vjet në paraburgim. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur në vitin 2023 dhe gjatë tij janë dëgjuar dëshmitarë dhe janë shqyrtuar prova të shumta.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria pretendon se veprimet e tyre janë kryer në kuadër të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Të katër të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.
Në fillim të procesit, Hashim Thaçi deklaroi para trupit gjykues se aktakuza ishte “krejt e paqëndrueshme” dhe u deklarua plotësisht i pafajshëm.
Kadri Veseli po ashtu u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Jakup Krasniqi, ndërsa iu përgjigj akuzave, kritikoi edhe trajtimin e tij gjatë qëndrimit në paraburgim, duke kundërshtuar pretendimin se kishte qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Rexhep Selimi e cilësoi aktakuzën si të rëndë dhe voluminoze, por tha se ajo ishte, sipas tij, e pasaktë dhe e padrejtë ndaj tij dhe ndaj luftës së popullit shqiptar.
Prokuroria kërkoi 45 vjet burgim
Në deklaratat përmbyllëse, të mbajtura në shkurt të vitit 2026, Prokuroria kërkoi nga 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve.
Mbrojtja kërkoi lirimin e tyre, ndërsa avokati i Rexhep Selimit i cilësoi provat e Prokurorisë si “bërllok”.
Gjatë fjalës përfundimtare, Thaçi argumentoi se UÇK-ja nuk kishte qenë shtet, por një organizim popullor për mbrojtjen e shqiptarëve nga agresioni serb. Ai kundërshtoi pretendimin për kontroll të Shtabit të Përgjithshëm mbi strukturat e UÇK-së.
Selimi, në fjalën e tij përfundimtare, tha se Prokuroria kishte vënë në shënjestër Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe vetë qëllimin e luftës për pavarësinë e Kosovës.
Krasniqi deklaroi se drejtësia duhet të ndërtohet mbi prova të besueshme dhe të vërtetën, ndërsa Veseli tha se beson se “drejtësia mund të vonohet, por kurrë të mohohet”.
Dëshmitë e ndërkombëtarëve
Gjatë procesit kanë dëshmuar edhe figura të njohura ndërkombëtare.
James Rubin, ish-ndihmëssekretar i Shtetit amerikan, ka shprehur shqetësimin për kohën e gjatë të kaluar në paraburgim nga ish-krerët e UÇK-së. Në dëshminë e tij, ai kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, ishte zhvilluar procesi.
Gjenerali amerikan Wesley Clark, ndërkaq, ka dëshmuar se UÇK-ja nuk kishte pasur një strukturë të mirëfilltë të komandës dhe kontrollit, duke thënë se autoriteti në terren u takonte kryesisht komandantëve të zonave.
Edhe ish-ambasadori amerikan Christopher Hill ka dëshmuar gjatë procesit.
Gjashtë vjet paraburgim
Gjatë viteve të qëndrimit në paraburgim, familjet e të akuzuarve janë përballur edhe me humbje të rënda. Prindërit e Kadri Veselit kanë vdekur gjatë kësaj periudhe, ndërsa Hashim Thaçi ka humbur babanë dhe Jakup Krasniqi vëllanë.
Gjykata Speciale është kritikuar në raste të ndryshme lidhur me trajtimin e kërkesave për vizita humanitare dhe masat e vendosura ndaj të akuzuarve.
Në një çështje tjetër, Thaçi, Veseli dhe Selimi janë përballur edhe me masa lidhur me vizitat e privilegjuara, pas pretendimeve për ndikim te dëshmitarët. Për pengim të administrimit të drejtësisë janë ngritur aktakuza ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Ndërkohë, në Kosovë dhe në vende të tjera janë organizuar protesta dhe tubime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Vendimi i sotëm do të përcaktojë nëse Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi do të shpallen fajtorë apo të pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tyre.

