Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në një reagim të publikuar më 16 shtator, PDK-ja ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj vendimit, duke e cilësuar atë si “të padrejtë dhe të papranueshëm”.
“Sot në Hagë u godit rëndë e drejta e popullit tonë që luftoi për liri, mbijetesë dhe çlirim nga regjimi shtetëror serb që vrau, dëboi dhe terrorizoi shqiptarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia ka pretenduar se aktgjykimi është bazuar në materiale dhe pretendime që, sipas saj, janë “të fabrikuara” dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë, me qëllim kriminalizimin e luftës së UÇK-së.
“Ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë. Por historia e Kosovës është shkruar këtu, me sakrificë, gjak dhe luftë për liri. Dhe ajo nuk rishkruhet sot”, thuhet në reagim.
PDK-ja ka theksuar se, sipas qëndrimit të saj, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, mbrojtëse dhe çlirimtare.
“Agresori ishte Serbia. Viktima ishte Kosova. Dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigjja e popullit tonë që kërkonte të jetonte i lirë”, thuhet në reagimin e partisë.
Sipas PDK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi iu përgjigjën procesit gjyqësor në Hagë duke besuar se e vërteta do të triumfonte.
Partia e ka cilësuar aktgjykimin si “goditje të rëndë” për luftën e UÇK-së, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.
PDK-ja ka bërë të ditur se do ta kundërshtojë aktgjykimin përmes mjeteve juridike dhe demokratike.
“PDK do ta kundërshtojë këtë aktgjykim me argumente, me të gjitha mjetet demokratike dhe në çdo forum ku duhet mbrojtur e vërteta për luftën e Kosovës”, thuhet në reagim.
Në fund, PDK-ja ka deklaruar se beteja për drejtësi dhe për atë që e konsideron të vërtetën historike do të vazhdojë.
“Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Ne për drejtësinë do të luftojmë deri në fund dhe për të vërtetën nuk do të heshtim kurrë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

