Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Kurti e ka cilësuar aktgjykimin dhe dënimet si “padrejtësi të papranueshme”, duke thënë se vendimi duhet të ndryshohet dhe korrigjohet në shkallën e apelit.
“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, edhe pse aktgjykimi është shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, kjo, siç shprehet ai, “nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”.
“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, ka deklaruar Kurti, duke shprehur mbështetje për familjet e ish-krerëve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tyre.
Kurti për origjinën e procesit
Kurti ka rikujtuar edhe zhvillimet që, sipas tij, i paraprinë krijimit të Dhomave të Specializuara.
Ai ka përmendur akuzat e ngritura në Këshillin e Evropës nga deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe deputeti serb Millosh Alligrudiq më 15 prill 2008, duke thënë se procesi duhet të vazhdojë të kundërshtohet edhe pas aktgjykimit të sotëm.
Sipas Kurtit, pretendimet dhe akuzat për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve nuk u ngritën nga vetë Prokuroria për shkak të mungesës së provave.
“Aktgjykimi rrëzoi pretendimin për sulm të gjerë dhe sistematik”
Kurti ka theksuar se, sipas tij, aktgjykimi i sotëm i Dhomave të Specializuara rrëzoi pretendimin se UÇK-ja kishte kryer një sulm të gjerë dhe sistematik kundër një popullsie civile.
Ai ka thënë gjithashtu se procesi nuk ishte gjykim për legjitimitetin apo “pastërtinë” e luftës së UÇK-së dhe se nuk ishte konstatuar kushti themelor për krime kundër njerëzimit.
“Përfundimet dënuese lidhen me akuza të caktuara për krime lufte, përfshirë torturën e personave të konsideruar bashkëpunëtorë të regjimit serb”, ka shkruar Kurti.
Ai i ka cilësuar këto konstatime si të padrejta, por ka theksuar se vendimi nuk është përfundimtar dhe do t’i nënshtrohet shqyrtimit në apel.
Kurti për dëshmitë e personaliteteve ndërkombëtare
Kurti ka pretenduar se karakteri i luftës së UÇK-së dhe lufta çlirimtare janë dëshmuar edhe para Gjykatës nga personalitete ndërkombëtare që e kishin njohur nga afër konfliktin në Kosovë.
Sipas tij, këta dëshmitarë e kanë përshkruar UÇK-në si përgjigje ndaj dekadave të shtypjes së shqiptarëve dhe kanë kundërshtuar pretendimet për përgjegjësi të saj për spastrim etnik, si dhe tezën për ekzistencën e një komande të centralizuar që kontrollonte çdo veprim në terren.
“Kritikat e tyre, të argumentuara në detaje, e nënvizojnë se vendimi i sotëm mbështetet mbi themele thelbësisht të pasakta, si nga pikëpamja historike, ashtu edhe ajo ligjore”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i mbështesë të akuzuarit në procesin e apelit.
“Siç kemi bërë prej fillimit të këtij procesi, Qeveria do të vazhdojë, me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, t’i mbështesë të akuzuarit në procesin e apelit, ku presim korrigjimin e plotë të kësaj padrejtësie”, ka deklaruar Kurti.
“UÇK-ja ishte përgjigjja e një populli që kërkonte liri”
Në reagimin e tij, Kurti e ka lidhur aktgjykimin me historinë e Kosovës dhe rrethanat në të cilat u krijua UÇK-ja.
“UÇK-ja nuk ishte zgjedhja e një populli që kërkonte luftë, por përgjigjja e një populli që, i shtypur dhe i kërcënuar në vetë ekzistencën e tij, kërkonte liri”, ka shkruar ai.
Kurti ka përmendur heqjen e autonomisë, përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet, largimet nga vendet e punës, shkollat dhe universitetet, si dhe burgosjet, torturat dhe vrasjet.
Sipas tij, më pas pasuan masakrat, djegia e vendbanimeve dhe dëbimi masiv i qindra mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre.
“Kjo vuajtje nuk ishte sfondi i rastësishëm i luftës, por realiteti që e bëri qëndresën çështje të mbijetesës së një populli”, ka përfunduar Kurti.

