Gjenerali amerikan dhe ish-komandanti suprem i NATO-s për Evropë, Wesley Clark, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, që dënoi me gjithsej 81 vite burgim katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në një lidhje me emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Clark tha se është i shokuar nga vendimi i Gjykatës së Hagës dhe se, sipas tij, nuk ka parë dëshmi që do ta justifikonin një vendim të tillë.
“Jam i shokuar dhe i zemëruar. Unë e njoh Thaçin dhe shokët e tij dhe të gjithë ata që kanë bërë luftën. Unë kam dëshmuar në gjyq, kam thënë se çfarë kam parë dhe e dija se çfarë po ndodhte në Kosovë dhe për bashkëpunimin tonë me UÇK-në. Nuk kam parë asnjë dëshmi që të justifikojë këtë lloj vendimi”, u shpreh Clark.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës do ta bëjë të vështirë rrugën në të ardhmen.
“Fatkeqësisht, Gjykata e dha vendimin e vet dhe kjo do të jetë një rrugë e vështirë në të ardhmen”, tha ai.
Clark: Thaçi bëri punë të shkëlqyer për mbrojtjen e serbëve të pafajshëm
I pyetur nëse kishte diçka që përputhej mes asaj që thanë gjyqtarët dhe asaj që ai kishte parë gjatë luftës në Kosovë, Clark u ndal te roli i Hashim Thaçit.
Ai tha se, sipas asaj që kishte parë dhe përjetuar gjatë konfliktit, Thaçi kishte bërë një punë të mirë për të mbrojtur popullatën civile serbe.
“Unë jam takuar tre herë me Hashim Thaçin gjatë konfliktit dhe në Rambuje. Sigurisht, e takova atë edhe kur isha në Kosovë”, tha Clark.
Ai e përshkroi UÇK-në dhe zhvillimet në Kosovë si një rebelim kundër një regjimi autoritar, duke përmendur edhe krimet individuale të kryera ndaj shqiptarëve.
“UÇK-ja dhe ajo çfarë po ndodhte atje ishte një rebelim kundër një regjimi autoritar dhe jo vetëm një regjim autoritar, por edhe shumë krime individuale të kryera nga serbë individualë përkundër fqinjëve të tyre shqiptarë”, u shpreh ai.
Clark tha se gjatë konfliktit kishte ndjenja të forta mes komuniteteve, veçanërisht për shkak të marrëdhënieve të mëparshme mes shqiptarëve dhe serbëve që kishin jetuar si fqinjë.
Ai theksoi se, sipas tij, Thaçi kishte bërë një punë të rëndësishme në mbrojtjen e serbëve të pafajshëm.
“Dhe këtë mendova se Hashim Thaçi bëri një punë të shkëlqyer për të ruajtur edhe popullatën e pafajshme serbe”, tha Clark.
“Nuk mund të thosha se Thaçi ishte dikush që mund të dënohej për krime lufte”
Gjenerali amerikan tha se kishte pasur shqetësime për zhvillimet pas luftës, por se kjo nuk e kishte çuar atë në përfundimin se Thaçi duhej të dënohej për krime lufte.
“Pra, kam pasur shqetësime për më tej, por nuk mund të thosha që Thaçi ishte dikush që të mund të dënohej për krime lufte”, deklaroi Wesley Clark.
Clark ka dëshmuar edhe gjatë procesit gjyqësor në Hagë, ndërsa në reagimin e tij të fundit ka theksuar se ajo që kishte parë gjatë konfliktit nuk përputhet, sipas tij, me përfundimin e Gjykatës.

