Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona janë shoqëruar në polici gjatë protestave të zhvilluara në Prishtinë pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Sipas Policisë, njërit prej personave i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh me vendim të prokurorit, ndërsa personi tjetër është liruar dhe rasti ndaj tij po trajtohet në procedurë të rregullt.
Sipas njoftimit policor, protestuesit fillimisht janë mbledhur në sheshet e Prishtinës, ndërsa më pas një pjesë e tyre janë nisur drejt bazës së EULEX-it.
Në afërsi të bazës, disa protestues, sipas Policisë, kanë tentuar të kalojnë me forcë rrethojat dhe kordonin policor. Gjatë përplasjes janë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të objektit.
Më pas, protestuesit kanë vazhduar drejt objektit të Qeverisë së Kosovës, ku, sipas Policisë, janë shënuar sërish tentativa për të kaluar rrethojat dhe kordonin policor.
Për shkak të situatës së krijuar, Policia ka ndërprerë përkohësisht qarkullimin në rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë dhe në rrugën “Bill Klinton”.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që pakënaqësitë dhe qëndrimet e tyre t’i shprehin në mënyrë të qetë, duke respektuar udhëzimet dhe urdhrat e zyrtarëve policorë.
Rasti po trajtohet nga organet kompetente.

