Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka paralajmëruar protestë gjithëpopullore nesër në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pas zhvillimeve të fundit në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Gazmend Syla nga OVL-UÇK tha se zhvillimet e fundit, sipas tij, kanë tentuar të vendosin në një balancë luftën e UÇK-së me ngjarjet e viteve 1998-1999.
“Dje dhe sot u ul lufta jonë për çlirim dhe u provua të bëhet një balancë mes asaj që ka ndodhur në luftën tonë në vitet ’98-’99. UÇK-ja nuk është kurrë ndërmarrje kriminale, kjo ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje”, deklaroi Syla.
Ai tha se, sipas tij, asnjë vendim nuk mund ta njollosë luftën e UÇK-së, ndërsa procesin në Hagë e cilësoi si të padrejtë.
Paralajmërohet këshill koordinues dhe platformë me diasporën
Syla bëri të ditur se organizatat e dala nga lufta synojnë të ndërmarrin hapa të tjerë pas vendimit të fundit.
Sipas tij, një nga nismat do të jetë krijimi i një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme të përbashkët, në të cilën do të përfshiheshin edhe shqiptarët jashtë Kosovës.
“Kësaj padrejtësie që iu bë drejtuesve të luftës së UÇK-së do t’i përgjigjemi me një iniciativë për krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe të një platforme ku do të përfshihen edhe Shqipëria, por edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë në viset e tjera, qoftë Mali i Zi, qoftë Lugina e Preshevës, por edhe nga mërgata jonë”, tha Syla.
Ai shtoi se do të kërkohet edhe një strategji e përbashkët për kundërshtimin e vendimit deri në përfundim të procesit të apelit.
Në këtë platformë, sipas tij, synohet përfshirja e institucioneve të Kosovës, partive parlamentare, shoqërisë civile dhe institucioneve të tjera që mund të kontribuojnë në këtë proces.
Protesta mbahet nesër në sheshin “Skënderbeu”
Syla njoftoi se organizatat e dala nga lufta kanë vendosur të organizojnë protestë gjithëpopullore nesër, në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Ndërkohë, ai bëri të ditur se sot në orën 16:30, OVL-UÇK, së bashku me disa shoqata të familjeve të dëshmorëve dhe Shoqatën e Invalidëve, do të prezantojë platformën e re.
Syla tha se organizatat e dala nga lufta do t’i bashkohen edhe thirrjes së studentëve për protestë.
“Nuk është vetëm ky vendim”
Duke folur për zhvillimet e fundit, Syla tha se, sipas tij, ish-luftëtarët e UÇK-së janë përballur me procese dhe goditje edhe më herët.
“Ju e dini, nuk është vendimi i padrejtë vetëm ky i djeshmi. Bashkëluftëtarët tanë, ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë bukur gjatë kohës nën goditjet me ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi ai.
Protesta e paralajmëruar nga OVL-UÇK pritet të zhvillohet nesër në qendër të Prishtinës, ndërsa organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar edhe iniciativa të tjera në kuadër të reagimit të tyre ndaj zhvillimeve në Hagë.

