Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë të përbashkët për dënimin e liderëve të UÇK-së: Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë

Qendra Info by Qendra Info
17/09/2026
in Lajme
0
Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë të përbashkët për dënimin e liderëve të UÇK-së: Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë
0
SHARES
5
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

PS dhe PD ulën përkohësisht armët pas dënimit me 81 vite burgim të katër ish-liderëve të UÇK-së. Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë të përbashkët, në të cilën e konsideron vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të padrejtë.

Dënimi me gjithsej 81 vite burgim i katër ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka bashkuar përkohësisht mazhorancën dhe opozitën në Shqipëri në reagimin ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Kuvendi i Shqipërisë doli me një deklaratë të përbashkët, duke shprehur indinjatën dhe mosdakordësinë me vendimin, të cilin e konsideron të padrejtë.

“Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me një vendim që e konsideron thellësisht të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.”

Në deklaratë, Kuvendi rithekson qëndrimin se lufta e UÇK-së ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës dhe se ajo ishte përgjigje ndaj represionit, dhunës, spastrimit etnik dhe krimeve të kryera gjatë regjimit të Slobodan Millosheviçit.

“Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së.”

Kuvendi: Shqetësim për “standardet e dyfishta”

Në deklaratë, Kuvendi i Shqipërisë shpreh gjithashtu shqetësimin për atë që e cilëson si standarde të dyfishta në trajtimin e së kaluarës së rajonit.

“Nderimet publike dhe shtetërore që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte, si edhe glorifikimi i figurave të lidhura me gjenocidin dhe spastrimin etnik, përfshirë Ratko Mladiçin, cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat europiane.”

Kuvendi shprehet gjithashtu kundër, sipas deklaratës, çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht procesin në Hagë dhe për të delegjitimuar luftën, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

“Kuvendi i Shqipërisë qëndron në solidaritet të plotë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, si dhe pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre.”

Në deklaratë thuhet gjithashtu se Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund.

“Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund, duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të procesit të rregullt ligjor.”

Opozita: Nuk mjafton vetëm deklarata

Deklarata e përbashkët u parapri nga kritika të opozitës ndaj qeverisë shqiptare, me pretendimin se shteti shqiptar nuk ka bërë mjaftueshëm për Kosovën.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk ka reaguar sa duhet lidhur me zhvillimet në Hagë.

“Rama i futi thikën pas shpine Kosovës, shkoi dhe diktoi votimin e një ligji që nuk votohej kurrë. Shkoi i deleguar i Aleksandër Vuçiçit. Shkoi, kreu porositë e Vuçiçit. E dëgjove, o kryetar, të thotë një fjalë të vetme. Çfarë tha ai për këtë që ndodhi në Hagë? Ku e keni ministrin?”, tha Berisha.

Ndërsa deputeti Erald Kapri kritikoi mazhorancën për mungesën, sipas tij, të angazhimit në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së.

“Lot krokodili për dënimin e liderëve të UÇK-së. Elita këtu, Edi Rama në veçanti, ka dashur dënimin e tyre. Çfarë ka bërë shteti shqiptar? Keni hedhur para për lobim? Zero”, tha Kapri.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, iu përgjigj duke thënë:

“Nuk është gjithçka marrëveshje biznesi.”

Opozita kërkon që Kuvendi të shkojë përtej deklaratës së përbashkët dhe të miratojë një rezolutë zyrtare për atë që e cilëson si gjenocid serb në Kosovë.

Sipas opozitës, në këtë rezolutë duhet të përfshihet edhe kërkesa ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës. Kjo kërkesë, sipas raportimit, ende nuk është pranuar nga mazhoranca.

Angazhimet e Kuvendit të Shqipërisë

Në pjesën përfundimtare të deklaratës, Kuvendi i Shqipërisë angazhohet që në forumet ndërkombëtare të ngrejë çështjen e krimeve të kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviçit në Kosovë, përfshirë krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës.

Kuvendi deklaron se do të kërkojë drejtësi për viktimat dhe do të dënojë, sipas formulimit të deklaratës, mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve dhe vendosjen e përgjegjësisë.

Po ashtu, Kuvendi angazhohet të koordinojë veprimet me Kuvendin e Kosovës dhe u bën thirrje të dyja qeverive që të koordinojnë veprimet institucionale për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale.

Në deklaratë thuhet:

“E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.”

Related

Previous Post

OVL-UÇK paralajmëron protestë gjithëpopullore nesër në Prishtinë

Next Post

Apeli lë në fuqi pezullimin e afateve të paraburgimit për Ilir Metën

Next Post
Apeli i GJKKO-së lë në burg ish-presidentin Ilir Meta

Apeli lë në fuqi pezullimin e afateve të paraburgimit për Ilir Metën

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.