Një vilë luksoze në Sant Just Desvern, pranë Barcelonës, rezultoi të ishte një pikë e fshehtë për ruajtjen e kokainës. Brenda saj nuk kishte mobilie, por në garazh policia spanjolle gjeti 1.351 kilogramë kokainë. Hetimi çoi në shkatërrimin e një grupi me lidhje shqiptare, i cili, sipas autoriteteve, merrej me transportimin e drogës nga jugu drejt veriut të Spanjës.
Vila, e vendosur në një kompleks rezidencial në Sant Just Desvern, kishte pishinë, sallë lojërash dhe të gjitha komoditetet e një banese luksoze. Megjithatë, brenda saj nuk kishte divane, tavolina, karrige apo krevate.
Sipas hetuesve, vila ishte marrë me qira për disa ditë nga një person me origjinë shqiptare, por të dhënat e tij dyshohet se ishin përdorur si person fasadë.
Kur agjentët e Policisë Kombëtare spanjolle kontrolluan banesën, në garazh gjetën 1.351 kilogramë kokainë të pastër.
Vila shërbente si “guardería”
Sipas autoriteteve spanjolle, banesa ishte përdorur si një “guardería”, term që përdoret për një vend ku droga fshihet përkohësisht përpara se të vijojë transporti.
Grupi, i lidhur me një klan shqiptar me lidhje familjare, dyshohet se merrte kokainën në jug të Spanjës dhe e transportonte drejt veriut të vendit, për ta dërguar më tej në Evropë.
Delegati i qeverisë spanjolle në Katalonjë, Carlos Prieto, e ka përshkruar grupin si një strukturë me “shumë burime dhe shumë kapacitet logjistik”.
Transport me 200 kilometra në orë
Sipas Policisë Kombëtare, të dyshuarit nuk përdornin kamionë për transportin e drogës. Ata përdornin makina luksoze dhe me fuqi të lartë, përfshirë një Audi RS8, të cilat ngarkoheshin me pako kokaine.
Hetuesit thonë se automjetet lëviznin me shpejtësi deri në 200 kilometra në orë dhe mund të përshkonin rreth 2.000 kilometra brenda një dite.
Një prej agjentëve që i kishte ndjekur nga afër ka treguar se policia duhej t’i çonte automjetet e veta në limit për të mundur t’i ndiqte.
Për të shmangur kontrollet, transportuesit dyshohet se udhëtonin të shoqëruar nga katër ose pesë automjete të tjera, të cilat lëviznin përpara dhe pas tyre dhe kontrollonin vazhdimisht praninë e policisë.
Makinat në emër të personave fasadë
Sipas hetuesve, grupi nuk shqetësohej as nga radarët e shpejtësisë. Automjetet fotografoheshin nga radarët, por gjobat dhe identifikimi i pronarëve nuk çonin te anëtarët e grupit.
Kjo pasi makinat shpesh ishin të regjistruara në emër të personave të tjerë, përfshirë persona me origjinë shqiptare që ndodheshin në situata të cenueshme sociale.
Policia thotë gjithashtu se grupi kishte kompani automobilistike që dyshohet se përdoreshin për pastrimin e parave, sigurimin e automjeteve të paregjistruara dhe krijimin e kontratave të falsifikuara të qirasë.
“Disiplinë pothuajse ushtarake”
Policia Kombëtare spanjolle thotë se klani, i vendosur në Costa del Sol dhe që jetonte në vila luksoze pranë Marbella-s, funksiononte me një disiplinë “pothuajse ushtarake”.
Kodi i heshtjes, i njohur si “omertà”, ishte pjesë e rëndësishme e mënyrës së tyre të veprimit.
Sipas hetuesve, ata nuk u besonin komunikimeve elektronike. Drejtuesit e grupit madje dyshohet se udhëtonin me makinë nga Marbella në Barcelona vetëm për takime fizike që zgjasnin rreth pesë minuta.
Autoritetet besojnë se grupi kishte qenë aktiv që nga viti 2016 dhe se emrat e anëtarëve të tij ishin shfaqur më herët në hetime të ndryshme policore.
15 arrestime dhe mbi 2.700 kilogramë kokainë të sekuestruar
Në kuadër të operacionit janë arrestuar 15 persona, prej të cilëve 12 janë dërguar në paraburgim.
Policia spanjolle ka sekuestruar më shumë se 2.700 kilogramë kokainë në Sant Just Desvern dhe Málaga, si dhe rreth 800 gramë tusi, dy armë zjarri të shkurtra dhe 29 automjete luksoze.
Gjithashtu janë ngrirë kripto-asete, produkte financiare dhe pasuri të paluajtshme.
Hetimi nisi vitin e kaluar, pasi autoritetet kolumbiane informuan policinë spanjolle për një ngarkesë kokainë që po drejtohej drejt Spanjës.
Grupi ishte vetëm transportues
Sipas hetimit, grupi i goditur nuk ishte përgjegjës për marrjen e kokainës dhe as për shitjen e saj.
Roli i tyre dyshohet se ishte transportimi i drogës nga jugu drejt veriut të Spanjës.
Katalonja ishte një pikë e rëndësishme në këtë skemë, pasi droga ndalohej përkohësisht në banesa të përdorura si “guarderías”, përpara se transporti të vazhdonte.
Burimet policore, të cituara nga mediat spanjolle, thonë se të dyshuarit ishin të njohur në qarqet kriminale dhe konsideroheshin transportues “të besueshëm”. Megjithatë, hetimi nuk i ka lidhur ata drejtpërdrejt me kokainën që hyn përmes portit të Barcelonës.
Autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë që grupi të ketë punuar edhe për klane të tjera kriminale të vendosura në Spanjë.
Rreth 50 milionë euro drogë
Në total, droga e sekuestruar vlerësohet nga autoritetet në rreth 50 milionë euro.
Në disa prej pakove të kokainës ishte vendosur emri “Vacheron Constantin”, një markë zvicerane e orëve luksoze. Sipas raportimeve, emra të tillë përdoren nga organizatat e trafikut të drogës për të identifikuar ngarkesat.
“Në Katalonjë nuk ka asgjë jashtë mundësive të policisë”, ka deklaruar delegati i qeverisë spanjolle në Katalonjë, Carlos Prieto, gjatë prezantimit të operacionit.
Operacioni u prezantua në ambientet e Policisë Kombëtare në portin e Barcelonës, ku u ekspozuan edhe sasitë e mëdha të kokainës së sekuestruar.Burimi: ARA / Report TV

