Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se nga 16 prilli deri më 20 shtator 2026 në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 172 raste me fruth, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 7 raste të reja.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, më shumë se 95 për qind e rasteve të konfirmuara janë te persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.
Në një komunikatë publike, IKShPK ka theksuar se vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve dhe komunitetit nga fruthi.
Instituti ka njoftuar gjithashtu se, krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, është intensifikuar edhe vaksinimi i vonuar, i njohur si “catch-up”, për fëmijët që për arsye të ndryshme nuk e kanë marrë vaksinën në kohën e paraparë.
Gjatë këtij viti, sipas IKShPK-së, përmes vaksinimit “catch-up” janë vaksinuar mbi 3 mijë e 176 fëmijë të grup-moshës 2 deri në 5 vjeç.
IKShPK ka vlerësuar angazhimin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim dhe ka bërë thirrje për vazhdimin e vaksinimit të fëmijëve.
“Çdo fëmijë i vaksinuar është një fëmijë më shumë i mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes së përhapjes së sëmundjes”, thuhet në komunikatën e institutit.
IKShPK e ka përmbledhur mesazhin e saj me thirrjen: “Vaksinimi i rregullt + catch-up = më shumë fëmijë të mbrojtur!”

