Policia e Kosovës ka sekuestruar 9.4 kilogramë substancë narkotike të dyshuar si marihuanë në fshatin Popoc të Gjakovës, në zonën e brezit kufitar.
Sipas Policisë, rasti është zbuluar më 21 shtator 2026, gjatë patrullimit dhe punës në terren nga njësitet e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare “Perëndimi” në Gjakovë.
Të dyshuarit braktisën automjetin dhe fshehën drogën
Sipas njoftimit policor, personat e dyshuar, një natë më parë, ishin vënë nën ndjekje nga patrullat policore kufitare. Gjatë ndjekjes, ata dyshohet se e kishin fshehur lëndën narkotike dhe kishin braktisur automjetin.
Në vendin e ngjarjes, në fshatin Popoc, policia gjeti tri çanta dhe një qese, të cilat përmbanin gjithsej 9 kilogramë e 400 gramë lëndë narkotike të dyshuar si marihuanë.
Arrestohet një shtetas turk
Policia ka bërë të ditur se një i dyshuar, shtetas turk, pasi është identifikuar, është arrestuar nga njësitet policore në Prishtinë dhe Mitrovicë të Jugut, të cilat ishin në asistim të operacionit.
Për rastin janë njoftuar njësitet relevante dhe prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti për veprën penale “blerje, posedim, shitje e paautorizuar e lëndëve narkotike”.
Pas intervistimit, personi i arrestuar është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

