Shtetet e Bashkuara e kanë ftuar presidentin rus Vladimir Putin në samitin e G20-së, i cili do të mbahet në dhjetor në Miami. Ftesa vjen në një kohë kur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së po zhvillohen përpjekje diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm amerikan, Marco Rubio, tha para gazetarëve në Nju Jork se pjesëmarrja e Putinit në samit do të krijonte mundësi për bisedime me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderë të tjerë botërorë.
Rubio: Për të zgjidhur problemet duhet të flasësh edhe me kundërshtarët
Rubio e arsyetoi ftesën duke thënë se, nëse synohet zgjidhja e problemeve, duhet të ketë komunikim edhe me njerëz me të cilët nuk pajtohesh.
Sipas tij, prania e Putinit në samitin e G20-së në Miami do të mundësonte që presidenti rus të zhvillonte bisedime jo vetëm me Trumpin, por edhe me krerë të tjerë shtetesh dhe qeverish.
Rubio shpreson për një armëpushim të kufizuar
Rubio u shpreh gjithashtu optimist se mund të arrihet një ndërprerje e luftimeve. Pas takimit me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ai tha se Rusia dhe Ukraina kanë sinjalizuar interes për një armëpushim të kufizuar.
Sipas Rubios, një marrëveshje e tillë mund të përfshijë ndalimin e sulmeve ndaj transporteve të drithërave dhe objekteve energjetike.
Ai pranoi se arritja e një marrëveshjeje të pjesshme nuk do të ishte e lehtë, por theksoi se përpjekja ia vlen edhe nëse një marrëveshje e tillë nuk do t’i jepte fund plotësisht luftës.
Lavrovi kundërshton idenë e armëpushimit
Pak më vonë, Lavrovi i zbehu këto pritshmëri. Duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ai hodhi poshtë sërish idenë për një armëpushim.
Sipas ministrit të Jashtëm rus, një pauzë e tillë kërkohet vetëm nga Evropa, me qëllim që gjatë kësaj periudhe Ukraina të furnizohet me më shumë armë.
Lavrovi deklaroi se Moska, ashtu siç ka thënë edhe presidenti Vladimir Putin, kërkon një zgjidhje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund konfliktit.
Ukraina kërkon armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrij Sybiha, tha se Kievi është i gatshëm për një armëpushim të menjëhershëm dhe të plotë, pa kushte, nëse edhe Moska e respekton atë.
Sybiha shtoi se Ukraina është gjithashtu e gatshme për armëpushime të pjesshme, që do të përfshinin ndalimin e sulmeve ndaj objekteve energjetike dhe eksporteve të drithërave.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj, në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se nuk dëshiron paqe.
SHBA-ja prej kohësh po përpiqet të ndërmjetësojë për përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila vazhdon prej më shumë se katër vjetësh. Megjithatë, deri tani raundet e bisedimeve nuk kanë sjellë ndonjë përparim vendimtar.

