Vendet evropiane dhe aleatët e NATO-s po shtojnë diskutimet për gatishmërinë dhe masat kundërvepruese, në një kohë kur zyrtarë të disa vendeve kanë paralajmëruar për rritjen e aktiviteteve hibride që ia atribuojnë Rusisë.
Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, tha se nuk pajtohet me vlerësimet se një sulm i drejtpërdrejtë rus ndaj NATO-s apo Bashkimit Evropian mund të ndodhë vetëm në muajt e ardhshëm, duke argumentuar se, sipas tij, përballja tashmë ka filluar përmes formave të tjera.
“Ne nuk po flasim për një luftë konvencionale. Po flasim për të gjitha llojet e provokimeve, të gjitha llojet e akteve të sabotimit, të gjitha llojet e testimeve dhe, padyshim, kjo është diçka që po ndodh derisa ne po flasim”, tha Rinkevics për Radion Evropa e Lirë.
Paralajmërime për sulme të mundshme ndaj NATO-s
Zyrtarë të inteligjencës evropiane, si dhe figura politike, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin polak Donald Tusk, kanë paralajmëruar për mundësinë që Rusia të ndërmarrë ndonjë sulm ndaj territorit të NATO-s.
Sipas këtyre vlerësimeve, një veprim i tillë mund të synonte testimin e gatishmërisë së aleancës dhe reagimit të saj ndaj detyrimit për mbrojtje kolektive sipas Nenit 5.
Ndër aktivitetet që gjatë muajve të fundit u janë atribuuar autoriteteve ruse përfshihen raste të dyshuara të zjarrvënieve, plane për atentate, sabotim të infrastrukturës hekurudhore dhe ndërhyrje elektronike.
Moska ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në operacionet e sabotimit që qeveritë evropiane ia atribuojnë Rusisë.
Ndërkohë, kryeqytetet e NATO-s dhe BE-së kanë shtuar diskutimet për plane emergjente dhe masa të mundshme kundërvepruese.
“Skenari i Narvës”
Një prej skenarëve të diskutuar nga analistët është i ashtuquajturi “skenari i Narvës”.
Ai përshkruan një situatë hipotetike në të cilën Rusia do të përpiqej të testonte NATO-n përmes një operacioni që kombinon taktikat hibride dhe veprimet ushtarake, duke u lidhur në mënyrë hipotetike me mënyrën se si Rusia ndërhyri në Krime në vitin 2014.
Narva është një qytet në Estoni, pranë kufirit me Rusinë, me një komunitet të konsiderueshëm rusofon.
Analistët kanë vlerësuar se një skenar i tillë hipotetik mund të synonte të testonte gatishmërinë e NATO-s për t’u përballur drejtpërdrejt me Rusinë për një territor me rëndësi të kufizuar strategjike.
Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, tha për Radion Evropa e Lirë se ka pasur rritje të aktiviteteve hibride që autoritetet evropiane ia atribuojnë Rusisë.
Ai tha se ekzistojnë zëra se presidenti rus Vladimir Putin mund të ndërmarrë një operacion ushtarak në shkallë të gjerë kundër shteteve baltike ose Polonisë.
Megjithatë, Tsahkna theksoi se inteligjenca estoneze nuk ka vërejtur ndonjë lëvizje serioze ushtarake ruse pranë kufijve.
“Inteligjenca jonë nuk sheh ndonjë lëvizje serioze ushtarake në anën tjetër të kufijve tanë, sepse Rusia është e bllokuar në Ukrainë”, tha ai.
NATO: Planet e mbrojtjes janë sekrete
Radio Evropa e Lirë kontaktoi diplomatë që kanë njohuri për planifikimin e gatishmërisë së BE-së dhe NATO-s, por ata nuk dhanë detaje konkrete, duke u arsyetuar se informacionet përkatëse janë të klasifikuara.
Një zyrtar nga Evropa Qendrore tha se në nivel pune zhvillohen diskutime joformale për atë se çfarë do të duhej të bëhej nga pikëpamja logjistike në rast të një sulmi ndaj shteteve baltike ose Polonisë.
Sipas tij, megjithatë, nuk ka udhëzime zyrtare apo përgatitje konkrete në terren për një skenar të tillë.
Një zyrtar i NATO-s tha se aleanca ka plane kombëtare të mbrojtjes për vendet anëtare, të cilat janë të klasifikuara, por përcaktojnë mënyrën se si do të veprohej në skenarë të ndryshëm lufte.
Rinkevics paralajmëroi gjithashtu se përdorimi i termit “luftë hibride” mund të krijojë përshtypjen se këto aktivitete janë më pak serioze sesa janë në të vërtetë.
“Mendoj se kur përdorim fjalën ‘hibride’, atëherë disi tingëllon më pak e rrezikshme, një terminologji disi më e pafajshme sesa janë në të vërtetë vetë këto akte”, tha presidenti letonez.
Ai shtoi se një nga skenarët më të rrezikshëm do të ishte që Rusia të ndërmerrte veprime të pamatura dhe të shkaktonte viktima.
“Nëse Rusia nis sulm me raketa, atëherë është absolutisht e qartë se ky është Neni 5 dhe atëherë është absolutisht e qartë se do të ketë një reagim”, tha Rinkevics.
SHBA shqyrton zgjerimin e pranisë ushtarake në Poloni
Tensionet në krahun lindor të NATO-s kanë tërhequr edhe vëmendjen e Uashingtonit.
Presidenti amerikan Donald Trump tha javën e kaluar se SHBA-ja dhe Polonia po bëjnë “përparim të madh” drejt krijimit të një baze të përhershme ushtarake amerikane në Poloni.
Një zhvillim i tillë do të mund të zgjeronte praninë amerikane në krahun lindor të NATO-s.
Deklarata erdhi një ditë pasi autoritetet polake mbyllën përkohësisht aeroportet në Lublin dhe Rzeszov, pas sulmeve ruse në pjesë të Ukrainës pranë kufirit me Poloninë, sipas zyrtarëve polakë.
Kryeministri polak Donald Tusk ka paralajmëruar gjithashtu për mundësinë e sulmeve me dronë ose raketa ndaj vendeve të NATO-s që mbështesin Ukrainën, të cilat mund të paraqiten si incidente ose aksidente.
Sipas Tuskut, një veprim i tillë do të mund të synonte testimin e reagimit të NATO-s dhe dobësimin e unitetit të aleatëve. Ai tha se ky vlerësim bazohet në informacione nga NATO-ja, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara.
Estonia kërkoi konsultime sipas Nenit 4
Shtetet baltike u alarmuan edhe vitin e kaluar, kur tre avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për rreth 12 minuta.
Sipas autoriteteve estoneze, avionët rusë u përballën me avionë italianë F-35 të ngritur nga misioni i NATO-s për Policimin Ajror në Baltik, nga baza Amari në Estoni, dhe më pas u shoqëruan drejt hapësirës ajrore ndërkombëtare.
Estonia reagoi duke kërkuar konsultime sipas Nenit 4 të Traktatit të NATO-s. Ky mekanizëm përdoret kur një aleat konsideron se integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e tij është e kërcënuar.
“Ne duhet të jemi të gatshëm të veprojmë të bashkuar”, tha Tsahkna.
Ministri estonez argumentoi se Rusia tashmë po ndërmerr veprime që prekin sigurinë evropiane.
Ai paralajmëroi se nëse Rusia do të arrinte objektivat e saj në Ukrainë, kjo mund të pasohej, sipas tij, nga presione ose veprime të tjera ndaj vendeve evropiane.
Burimi: Radio Evropa e Lirë

