Sot, nga ora 08:30, do të mbahet gjykimi në mungesë ndaj 53 personave të akuzuar për Masakrën e Mejës. Të gjithë të pandehurit ndodhen në arrati.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 53 të akuzuarve në dhjetor të vitit 2023. Aktakuza ishte ndryshuar më 23 dhjetor 2024.
Apeli e ktheu çështjen në rivendosje
Më 25 maj 2026, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit ishte konfirmuar aktakuza e Prokurorisë Speciale.
Çfarë thuhet në aktakuzë?
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se gjatë viteve 1998–1999, në kohën e luftës, në fshatrat e Komunës së Gjakovës, kanë vepruar në bashkëkryerje si pjesë e një Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale.
Në mesin e personave të përmendur në aktakuzë janë:
- Momir Stojanoviq – shef i Departamentit të Sigurisë së Komandës në Korpusin e Prishtinës;
- Sreten Çamoviq – shef i Departamentit të Sigurimit Shtetëror (UDB);
- Nikolla Miqunoviq – komandant i njësive rezervë;
- Millovan Kovaçeviq – shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë;
- Sergej Peroviq – shef i Sigurimit në Brigadën e 52-të të Artilerisë dhe Raketave të Mbrojtjes Ajrore në garnizonin e Gjakovës, pjesë e Korpusit të Prishtinës, Armatës së Tretë;
- Verolub Zhivkoviq – komandant i Postëkomandës Pararojë dhe shef i Shtabit të Korpusit të Prishtinës;
- Millan Kotur – shef i Këmbësorisë në Komandën e Korpusit të Prishtinës;
- Radomir Çoliq – komandant i njësive policore “Posebne Jednice Policije” (PJP) në Gjakovë;
- Dragutin Josifoviq – komandant i Stacionit Policor në fshatin Ponoshevc të Gjakovës;
- Franko Simatoviq – komandant i njësisë paramilitare “Jedinica za Specijalne Operacije” (JSO);
- Momçillo Stanojeviq – komandant i Mbrojtjes Territoriale;
- Vllatko Vukoviq – komandant i Batalionit të Dytë të Brigadës së Motorizuar;
- Ilija Todorov – komandant i Brigadës së 63-të Parashutiste.
Të akuzuarit përballen me pretendimet e përfshira në aktakuzën e Prokurorisë Speciale. Përgjegjësia penale e tyre do të vlerësohet nga gjykata gjatë procedurës.

