Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se turizmi në Kosovë është një sektor në rritje, duke theksuar se numri i vizitorëve është dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit krahasuar me periudhën parapandemike.
Kurti i bëri këto deklarata në hapjen e konferencës “Re: Tourism – Inteligjenca Artificiale në promovimin e turizmit në Kosovë”, organizuar në kuadër të aktiviteteve për Ditën Botërore të Turizmit.
Kurti: Vizitorët janë rritur rreth 20% në vit
Sipas Kurtit, gjatë katër viteve të fundit numri i vizitorëve është rritur për rreth 20 për qind nga viti në vit.
“Kjo rritje e vizitorëve ka krijuar edhe mundësi të reja punësimi në mbarë vendin”, ka deklaruar ai.
Duke iu referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Kurti ka thënë se rreth 30 mijë persona janë të punësuar në sektorët e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore, që sipas tij përbëjnë rreth 7 për qind të fuqisë punëtore në Kosovë.
Inteligjenca artificiale në promovimin e turizmit
Kurti ka theksuar se digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë mënyrën e informimit dhe komunikimit, duke vlerësuar se këto mundësi duhet të përdoren për promovimin e Kosovës si destinacion turistik.
“Ne duhet t’i përdorim këto mundësi për ta bërë Kosovën më të dukshme, më të qasshme dhe më tërheqëse për vizitorët nga mbarë bota”, ka shkruar Kurti.
Strategjia për Turizmin 2030
Kryeministri në detyrë ka thënë se Qeveria i ka dhënë rëndësi të veçantë zhvillimit të turizmit përmes Strategjisë për Turizmin e Kosovës 2030.
Sipas tij, synimi është zhvillimi i turizmit në të gjitha pjesët e vendit, përfshirë investimet në Brezovicë dhe zhvillimin e Dukagjinit si një qendër e re turistike dhe zhvillimore.

