Eric Wendt nis zyrtarisht këtë të shtunë, më 26 shtator, detyrën si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Në orën 11:00 ai do t’i dorëzojë letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj në Pallatin e Brigadave, ndërsa më pas pritet të zhvillojë një takim kokë më kokë me kreun e shtetit.
Wendt mbërriti në Tiranë të premten, duke nisur misionin e tij diplomatik pas rreth tre vitesh pa një ambasador të emëruar në mënyrë të përhershme në krye të Ambasadës amerikane, pas përfundimit të mandatit të Yuri Kim në qershor 2023. Gjatë kësaj periudhe misioni u drejtua nga të ngarkuar me punë.
Ambasadori i ri ka një profil të theksuar ushtarak dhe të sigurisë. Ai është gjeneral-lejtnant në pension dhe ka shërbyer më shumë se 34 vjet në ushtrinë amerikane, ndërsa ka komanduar edhe strukturat e operacioneve speciale të NATO-s. Gjatë karrierës së tij ka mbajtur gjithashtu pozita të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Paqësorit.
Gjatë dëgjesës së konfirmimit në Senatin amerikan, Wendt ka paraqitur edhe prioritetet që synon të ndjekë gjatë mandatit në Shqipëri. Në fokus janë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, forcimi i bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri kibernetike, si dhe mbështetja për bashkëpunimin ekonomik dhe investimet amerikane.
SPAK-u dhe bashkëpunimi me institucionet shqiptare të drejtësisë janë gjithashtu pjesë e agjendës së tij, ndërsa Wendt ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe të luftës kundër korrupsionit.
Në planin ekonomik, Wendt ka përmendur sektorë si energjia, infrastruktura, minierat dhe inteligjenca artificiale, duke nënvizuar rëndësinë e krijimit të kushteve të drejta dhe transparente për investitorët amerikanë.
Dorëzimi i letrave kredenciale te Presidenti Begaj shënon fillimin formal të detyrës së Wendt si ambasador amerikan në Shqipëri. Sipas Departamentit të Shtetit, ambasadorët e misioneve diplomatike konsiderohen se kanë marrë detyrën në vendin pritës me paraqitjen e kredencialeve.
