Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara kërkojnë kujdes të madh dhe ekspertizë të lartë, duke bërë të ditur se Ministria e Drejtësisë është duke analizuar Projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Gërvalla ka thënë se pas përfundimit të analizës, Ministria e Drejtësisë do t’ia përcjellë Qeverisë opinionin e saj, duke theksuar se procesi nuk do të zvarritet.
“Shumica e gjërave që lidhen me Dhomat e Specializuara janë çështje të ekspertizës së lartë. Nevojitet kujdes i madh që të mos bëjmë gabime. Në Ministrinë e Drejtësisë janë ekspertët që po e analizojnë edhe projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Kur ta kemi gati, do t’ia dërgojmë Qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë. Por as nuk duam të nxitohemi, e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka theksuar se për çështjet që lidhen me shtetin, kushtetutshmërinë dhe të ardhmen e Kosovës nevojitet bashkëpunim dhe bashkërendim institucional.
“Më shumë sesa për fjalë, kemi nevojë për bashkëpunim e bashkërendim, analizë e ekspertizë me qëllim që në fund të fitojë drejtësia”, është shprehur ministrja.
Gërvalla mohon bashkëpunimin me Specialen
Gërvalla ka mohuar akuzat për bashkëpunim me Dhomat e Specializuara, duke deklaruar se nuk ka pasur kontakte me Specialen, UNMIK-un apo EULEX-in, as drejtpërdrejt dhe as tërthorazi.
“Deklaratat që më lidhin me bashkëpunimin janë bërë bozë. Nuk ka në asnjë hallkë, as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale, nuk ka asnjë pikëtakim timin, as direkt, as indirekt”, ka deklaruar ajo.
Ministrja ka kërkuar që të pritet publikimi i aktgjykimit të plotë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se vetëm pas publikimit të tij mund të vlerësohen më qartë faktet dhe zhvillimet.
Ajo ka mohuar edhe se ka heshtur pas aktgjykimit dënues, duke thënë se si ministre e Drejtësisë është angazhuar në përgatitjet ligjore për hapat e mëtejmë.
“S’kam heshtur, unë jam ministre e Drejtësisë. Kryeministri e ka bërë një reagim në emër të Qeverisë, ndërsa unë si ministre i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë, sepse Specialja është betejë ligjore, jo deklaratash në media”, ka thënë Gërvalla.
Sipas saj, Kosova duhet të përgatitet me “kokë të ftohtë” për instancën e ardhshme, ndërsa çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara kërkojnë ekspertizë të lartë juridike.
“Nuk i komentoj kërkesat për dorëheqje”
E pyetur për kërkesat për dorëheqjen e saj gjatë protestave, Gërvalla ka thënë se nuk dëshiron t’i komentojë ato.
“Është e drejtë e secilit qytetar të kërkojë dorëheqjen e një ministri. Nuk i komentoj kërkesat për dorëheqje. Nuk ia ndaloj fjalën askujt”, ka deklaruar ajo.
Projektligji për Byronë dërgohet në Kuvend
Gërvalla ka bërë të ditur gjithashtu se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është dërguar në Kuvendin e Kosovës.
Ajo e ka cilësuar këtë projektligj si një nga elementet kryesore të reformës në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se ai është hartuar dhe rishikuar në disa faza.
Sipas Gërvallës, projektligji është vlerësuar nga Komisioni i Venecias, është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese dhe më pas është ndryshuar në bazë të gjetjeve të saj. Dokumenti është rihapur edhe për konsultim publik, ku, sipas saj, janë marrë parasysh në masë të konsiderueshme komentet e shoqërisë civile.
“Projektligji që kemi dërguar në Kuvend duhet parë si rezultat i një procesi të tërë. Ai ka kaluar nëpër disa faza të hartimit dhe rishikimit, është vlerësuar nga Komisioni i Venecias, është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, është ndryshuar në bazë të gjetjeve të saj dhe është rihapur për konsultim publik”, ka thënë Gërvalla.
“Byroja nuk konfiskon pasuri, vendimin e merr gjykata”
Sipas ministres, iniciativa për krijimin e këtij mekanizmi daton nga viti 2020 dhe është pjesë e reformave në drejtësi, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Ajo ka shpjeguar se qëllimi është krijimi i një instrumenti shtesë për rastet kur ekziston një mospërputhje e konsiderueshme ndërmjet pasurisë së një zyrtari publik dhe të ardhurave të tij të ligjshme, ndërsa mekanizmat ekzistues penalë nuk janë të mjaftueshëm për konfiskimin e kësaj pasurie.
Gërvalla ka theksuar se është synuar ruajtja e balancës ndërmjet interesit publik për luftimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe mbrojtjes së të drejtave individuale.
“Që nga fillimi kemi qenë të vetëdijshëm se bëhet fjalë për një mekanizëm të ri dhe të ndjeshëm, i cili duhet të vendosë balancën e duhur ndërmjet interesit publik për luftimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe mbrojtjes së të drejtave individuale”, është shprehur ajo.
Ministrja ka sqaruar se Byroja, sipas projektligjit, nuk do të ketë kompetencë për të marrë vendim për konfiskimin e pasurisë.
“Byroja ka rol përgatitor dhe analitik. Ajo mbledh, analizon dhe verifikon të dhënat dhe kur vlerëson se plotësohen kushtet ligjore e paraqet çështjen para gjykatës. Byroja vetë nuk merr vendim për konfiskim. Vendimin përfundimtar për konfiskimin e pasurisë e merr ekskluzivisht gjykata”, ka thënë Gërvalla.
Sipas saj, personi ndaj të cilit zhvillohet procedura do të ketë të drejtë të paraqesë prova, të kundërshtojë pretendimet dhe provat e Byrosë dhe të përdorë mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gërvalla: Kosova nuk mund ta tolerojë pasurinë e pajustifikueshme
Gërvalla ka thënë se qytetarët e presin këtë ligj për shkak të nevojës për trajtimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe luftimin e korrupsionit.
“Kosova nuk mund ta tolerojë pasurinë e pajustifikueshme që ajo të bëhet normë. Që korrupsioni të fitojë mbi shtetin ligjor, që pasuria publike të përfundojë në xhepat privatë, që i drejti dhe i sinqerti në fund të jetë humbës”, ka deklaruar ajo.
Në fund, ministrja e ka cilësuar Projektligjin për Byronë si një nga shtyllat e reformës në sistemin e drejtësisë.
“Ligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të jetë një prej garancive të forta për këtë. Me këtë ligj jam e sigurt që kemi vënë themelin e reformës më të thellë në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, ka përfunduar Gërvalla.
