Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj personit me inicialet A.D., për veprat penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 9 mars 1999, në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth Kaçanikut.
Prokuroria pretendon se A.D., në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor në Kaçanik, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka kryer veprime që përfshijnë torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare.
Banorët dyshohet se u dëbuan nga fshati
Sipas aktakuzës, forcat serbe fillimisht e kishin rrethuar fshatin Ivajë, ndërsa më pas banorët ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Prokuroria pretendon se shtëpitë e banorëve më pas janë djegur dhe shkatërruar.
Në vazhdim, burrat dyshohet se janë ndarë nga gratë dhe janë dërguar në Stacionin Policor në Kaçanik.
Sipas aktakuzës, 78 persona janë liruar, ndërsa 13 të tjerë janë ndaluar për t’u marrë në pyetje. Këta të fundit, sipas pretendimeve të Prokurorisë, janë rrahur dhe torturuar nga A.D. dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar.
Lënda është dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.
I pandehuri A.D. ndodhet në paraburgim.
Pretendimet e paraqitura në aktakuzë përbëjnë akuza dhe jo një vendim përfundimtar gjyqësor.

