Ish-kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar procesin gjyqësor në Hagë dhe rolet e figurave politike e ushtarake gjatë luftës së Kosovës.
Në emisionin “Adresa” në Kanal 10, Haradinaj ka bërë dallim mes strukturave operative dhe politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se, sipas tij, përgjegjësia për zhvillimet në terren nuk duhet t’u atribuohet figurave që kishin role politike.
“Ne e kemi pasur komandantin Adem Jashari. Vepra e tij e ka bërë legjendë, vepra e familjes së tij. Presidenti Thaçi nuk ka qenë komandant. Ka qenë drejtor i Drejtorisë Politike”, deklaroi Haradinaj.
Haradinaj tha se, në këtë kuadër, e konsideron të pakuptueshme ngarkimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe figurave të tjera politike me përgjegjësi për zhvillimet gjatë luftës.
“Është e pakuptueshme me e ngarkuar presidentin Thaçi dhe të tjerët për zhvillime në luftë”, u shpreh ai.
Haradinaj për sulmet ndaj EULEX-it
Gjatë intervistës, Haradinaj foli edhe për sigurinë në Kosovë dhe sulmet ndaj misioneve ndërkombëtare.
Ai tha se personat përgjegjës për sulmet ndaj EULEX-it duhet të përballen me përgjegjësi ligjore.
“Kushdo që i ka futur shqiptarët në kurth me e sulmuar EULEX-in duhet me hy në burg. Ne duam me hy në BE, por e duam edhe lirinë e këtyre njerëzve”, deklaroi Haradinaj.
“Amerika nuk tërhiqet nga pavarësia e Kosovës”
Haradinaj foli edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar rëndësinë që, sipas tij, SHBA-ja i kushton stabilitetit dhe sigurisë së Kosovës.
“E vetmja gjë që Amerika nuk heq dorë është stabiliteti dhe siguria e Kosovës. Amerika nuk tërhiqet nga 17 Shkurti, as nga pavarësia jonë”, përfundoi Haradinaj.

