Sot, më 1 tetor, në Prishtinë do të mbahet protestë kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Protesta, e thirrur nga platforma “Liria ka Emër”, do të nisë në ora 16:00, në sheshin “Skënderbeu”.
Përfaqësuesit e platformës kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve, duke e lidhur datën e protestës edhe me 1 tetorin 1997, kur u zhvilluan protestat studentore në Prishtinë.
81 vjet burgim për katër ish-krerët e UÇK-së
Më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës i shpalli fajtorë katër të akuzuarit për disa krime lufte.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Sipas aktgjykimit të publikuar nga Gjykata Speciale, katër të akuzuarit u gjetën penalisht përgjegjës për krime lufte që përfshijnë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Në të njëjtin aktgjykim, Trupi Gjykues i shpalli të akuzuarit të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, si dhe për disa incidente të veçanta të krimeve të luftës.
Protestat vazhdojnë prej 15 ditësh
Protesta e sotme vjen pas rreth 15 ditësh protestash të organizuara në Kosovë kundër aktgjykimit dhe në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së.
Protesta dhe tubime kundër vendimit janë zhvilluar edhe jashtë Kosovës, ndërsa janë paralajmëruar protesta të tjera në diasporë, përfshirë një protestë në Bruksel më 10 tetor.
Platforma “Liria ka Emër” u ka bërë thirrje qytetarëve që sot, në ora 16:00, të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

