Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Opinionet

Nga Nurembergu te Dhomat e Specializuara të Kosovës: Drejtësia penale ndërkombëtare ndërmjet përgjegjësisë, selektivitetit dhe legjitimitetit

Qendra Info by Qendra Info
02/10/2026
in Opinionet
0
Si dështoi reforma në drejtësi në Itali – Një analizë krahasuese ndërmjet sistemit gjyqësor në Itali me Republikën e Kosovës
0
SHARES
47
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Prof. Asoc. Dr. Orhan M. Çeku

Hyrje

Shqiptimi më 16 shtator 2026 i aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – e ka rikthyer me intensitet debatin mbi drejtësinë penale ndërkombëtare, juridiksionin e gjykatave të specializuara dhe raportin e tyre me historinë dhe drejtësinë tranzicionale në Kosovë. Dënimi i katër figurave të larta të UÇK-së për krime lufte, ndërkohë që ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, nuk përbën vetëm një zhvillim juridik me rëndësi të veçantë, por edhe një ngjarje që kërkon informim dhe debat më të gjerë publik mbi natyrën, origjinën dhe juridiksionin e institucionit që e shqiptoi këtë aktgjykim.

Pikërisht kjo është arsyeja kryesore e këtij shkrimi. Qëllimi nuk është vetëm të analizohet një aktgjykim i caktuar, por t’i ofrohet opinionit publik një perspektivë më e gjerë historike dhe juridike mbi zhvillimin e drejtësisë penale ndërkombëtare: nga Tribunalet e Nurembergut dhe Tokios, te Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, gjykatat hibride në Sierra Leone dhe Timorin Lindor, panelet ndërkombëtare të UNMIK-ut dhe gjyqtarët e prokurorët e EULEX-it, deri te krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës. Një vështrim i tillë krahasues është i domosdoshëm për të kuptuar jo vetëm dallimet ndërmjet këtyre modeleve, por edhe çështjet që e kanë përcjellë drejtësinë ndërkombëtare ndër vite: selektivitetin e juridiksionit, legjitimitetin, raportin ndërmjet drejtësisë dhe politikës, si dhe tensionin ndërmjet përgjegjësisë penale individuale dhe perceptimit të përgjegjësisë kolektive. Vetëm duke i vendosur Dhomat e Specializuara brenda këtij zhvillimi historik mund të zhvillohet një debat i informuar për natyrën dhe legjitimitetin e tyre dhe për domethënien që proceset e Hagës kanë për Kosovën dhe kujtesën e saj historike.

Në këtë kontekst, zhvillimi i drejtësisë penale ndërkombëtare përbën një nga transformimet më të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore. Tribunalet e Nurembergut dhe Tokios afirmuan se individët, përfshirë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë, mund të mbajnë përgjegjësi penale drejtpërdrejt sipas së drejtës ndërkombëtare. Antonio Cassese e trajton këtë zhvillim si një nga themelet e së drejtës penale ndërkombëtare moderne, sepse ai e zhvendosi vëmendjen nga përgjegjësia abstrakte e shtetit te përgjegjësia personale për krimet më të rënda. (Cassese, 2013)

Evolucioni institucional nuk ka qenë linear. Pas Nurembergut dhe Tokios kaluan pothuajse pesë dekada deri në krijimin e tribunalit ad hoc për ish-Jugosllavinë. Më pas u zhvilluan modele të ndryshme: tribunalet ndërkombëtare të Këshillit të Sigurimit, gjykatat hibride që ndërthurën elemente vendore dhe ndërkombëtare, si dhe forma të ndërkombëtarizimit të sistemeve vendore. (Romano, et al., 2004) Kosova paraqet një rast veçanërisht të pasur: juridiksioni i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ/ICTY), panelet e UNMIK-ut, mandati ekzekutiv i EULEX-it dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Tribunalet e Nurembergut dhe Tokios

Tribunali Ushtarak Ndërkombëtar në Nuremberg (Nuremberg: International Military Tribunal (IMT) qe u themelua me Marrëveshjen e Londrës të 8 gushtit 1945, juridiksioni i tij përfshinte krimet kundër paqes, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Rëndësia e Nurembergut qëndron në afirmimin e përgjegjësisë individuale, kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe të mbrojtjes së bazuar në urdhrin e eprorit. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i afirmoi parimet e Nurembergut në Rezolutën 95 (I) të vitit 1946, ndërsa Komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare i formuloi ato sistematikisht në vitin 1950.( UN General Assembly Resolution 95 (I), 1946)

Tribunali Ushtarak Ndërkombëtar për Lindjen e Largët (Tokio: International Military Tribunal for the Far East (IMTFE), i njohur si Tribunali i Tokios, u krijua në janar 1946 nën autoritetin e Komandantit Suprem të Fuqive Aleate. Të dy tribunalet u kritikuan për elemente të “drejtësisë së fituesve”, çështje të legalitetit dhe zbatim selektiv. Këto kritika lidheshin veçanërisht me faktin se para tyre u gjykuan drejtuesit politikë dhe ushtarakë të fuqive të mundura të Boshtit, ndërsa veprimet e përfaqësuesve të fuqive fituese nuk iu nënshtruan një procesi të krahasueshëm gjyqësor. Megjithatë, ato mbeten pikënisja institucionale e sistemit modern të drejtësisë penale ndërkombëtare. (Schabas, 2017)

Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ)

Me Rezolutën 827 të 25 majit 1993, Këshilli i Sigurimit, duke vepruar në kuadër të Kapitullit VII të Kartës së OKB-së, krijoi TPNJ-në. Ai ishte tribunali i parë ndërkombëtar për krime lufte i krijuar nga OKB-ja dhe i pari pas Nurembergut e Tokios. Juridiksioni përfshinte shkeljet e rënda të Konventave të Gjenevës, shkeljet e ligjeve ose zakoneve të luftës, gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit në territorin e ish-Jugosllavisë që nga viti 1991. (UN Security Council Resolution 827, S/RES/827, 1993)

TPNJ pati rëndësi të jashtëzakonshme jurisprudenciale. Çështja Tadić kontribuoi në sqarimin e nocionit të konfliktit të armatosur dhe të rregullave për konfliktet jondërkombëtare. Jurisprudenca zhvilloi përgjegjësinë komanduese, elementet e krimeve kundër njerëzimit, ndjekjen e dhunës seksuale dhe interpretimin e gjenocidit. Cryer dhe Robinson theksojnë rolin e tribunalit në artikulimin dhe zhvillimin e së drejtës penale ndërkombëtare. (Cryer, et al. 2024) Për Kosovën, TPNJ kishte rëndësi të drejtpërdrejtë, sepse juridiksioni territorial i tij përfshinte Kosovën si pjesë të territorit të ish-Jugosllavisë. Zyra e Prokurorit hetoi dhe ndoqi penalisht krime të pretenduara gjatë konfliktit të viteve 1998–1999. Megjithatë, TPNJ ishte institucion ndërkombëtar me seli në Hagë dhe jo pjesë e sistemit gjyqësor vendor.

Gjatë veprimtarisë së tij, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) ngriti aktakuza ndaj 161 personave për krime të kryera gjatë konflikteve në territorin e ish-Jugosllavisë, ndërsa 90 prej tyre u dënuan dhe 19 u shpallën të pafajshëm. Në mesin e personave të dënuar ishin figura të larta politike dhe ushtarake nga konfliktet në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë, ndërsa Tribunali shqyrtoi edhe çështje kundër pjesëtarëve dhe drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në çështjen Limaj et al., Fatmir Limaj dhe Isak Musliu u shpallën të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në vitin 2005. Në çështjen Haradinaj et al., Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj u shpallën të pafajshëm në gjykimin e parë të vitit 2008 dhe pas vendimit të Dhomës së Apelit për përsëritjen e pjesshme të gjykimit, më 29 nëntor 2012. Këto raste janë me rëndësi të veçantë për historinë e drejtësisë penale ndërkombëtare në raport me Kosovën, sepse tregojnë se TPNJ-ja ushtroi juridiksion edhe ndaj pjesëtarëve të UÇK-së dhe se përgjegjësia penale u shqyrtua mbi bazën e akuzave dhe provave individuale të paraqitura në secilën çështje. (www.icty.org _facts_figures)

Një pjesë e rëndësishme e jurisprudencës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë lidhet me përgjegjësinë penale individuale të udhëheqësve politikë, ushtarakë dhe policorë serbë për krimet e kryera gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Ndër figurat e larta të dënuara nga strukturat gjyqësore ndërkombëtare ishin udhëheqësit serbë të Bosnjës Radovan Karadžić dhe Ratko Mladić, të dënuar ndër të tjera për gjenocidin në Srebrenicë, si dhe Momčilo Krajišnik dhe Biljana Plavšić për krime të lidhura me fushatën kundër popullsisë joserbe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në rastet që lidhen me Kroacinë u dënuan, ndër të tjerë, udhëheqësit serbë të Kroacisë Milan Martić dhe Milan Babić, ndërsa për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës u dënuan zyrtarë të lartë të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë, përfshirë Nikola Šainović, Nebojša Pavković, Vladimir Lazarević, Sreten Lukić dhe Dragoljub Ojdanić.

Aktgjykimet e Tribunalit dokumentuan përgjegjësi individuale për një spektër të gjerë krimesh – përndjekje, vrasje, deportime, zhvendosje të dhunshme dhe krime të tjera kundër njerëzimit e krime lufte – ndërsa në Srebrenicë u konstatua edhe gjenocidi. Këto aktgjykime krijuan një evidencë të gjerë gjyqësore mbi krimet e kryera nga forcat dhe strukturat përkatëse gjatë konflikteve, duke përcaktuar përgjegjësinë penale të individëve konkretë dhe jo fajësi kolektive të popullit serb.

Kalimi drejt gjykatave hibride

Në fund të viteve 1990 dhe fillim të viteve 2000 u shfaqën gjykatat “hibride”, “të përziera” ose “të ndërkombëtarizuara”. Romano, Nollkaemper dhe Kleffner i analizojnë si institucione që kombinojnë, në shkallë të ndryshme, bazën juridike, personelin, të drejtën materiale e procedurale dhe strukturat vendore e ndërkombëtare. Nuk ekziston një model unik hibrid; shumëllojshmëria e tyre është pikërisht karakteristika kryesore. (Romano, et.al, 2004)

Gjykatat hibride paraqesin një model të veçantë të drejtësisë penale, i cili ndërthur elemente të së drejtës dhe institucioneve vendore me komponentë të drejtësisë ndërkombëtare. Ato janë krijuar kryesisht në shoqëritë e dala nga konfliktet e armatosura, kur sistemi gjyqësor vendor nuk kishte kapacitete të mjaftueshme, pavarësi të konsoliduar ose besueshmëri për trajtimin e krimeve të rënda ndërkombëtare. Ndryshe nga tribunalet tërësisht ndërkombëtare, si Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, gjykatat hibride zakonisht funksionojnë përmes një kombinimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve vendorë e ndërkombëtarë dhe zbatojnë, në përmasa të ndryshme, të drejtën vendore dhe atë ndërkombëtare. Modele të tilla janë zhvilluar, në Sierra Leone, Timorin Lindor, Kamboxhia dhe Kosovë, megjithëse baza juridike, struktura dhe shkalla e ndërkombëtarizimit ndryshojnë ndjeshëm nga njëri rast në tjetrin. Qëllimi i këtij modeli është jo vetëm ndjekja e përgjegjësisë penale individuale për krimet më të rënda, por edhe afrimi i drejtësisë me shoqërinë e prekur nga konflikti, forcimi i institucioneve vendore dhe transferimi i ekspertizës ndërkombëtare në sistemin kombëtar të drejtësisë.

Gjykata Speciale për Sierra Leone dhe Timori Lindor

Gjykata Speciale për Sierra Leone (SCSL) u krijua me marrëveshjen e 16 janarit 2002 ndërmjet OKB-së dhe Qeverisë së Sierra Leones. Ndryshe nga ICTY, ajo nuk ishte organ ndihmës i Këshillit të Sigurimit. Statuti i saj parashihte juridiksion mbi personat që mbanin përgjegjësinë më të madhe për shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të së drejtës së Sierra Leones të kryera që nga 30 nëntori 1996. Përbërja ndërthurte gjyqtarë të emëruar nga OKB-ja dhe Sierra Leone. (SCSL Statute, art. 1.)

Modeli synonte ta afronte drejtësinë me shoqërinë e prekur nga konflikti, duke ruajtur ekspertizën ndërkombëtare. Rasti kundër ish-Presidentit të Liberisë, Charles Taylor (dhe pse ai nuk ishte shtetas i Sierra Leones), i dha Gjykatës rëndësi të veçantë. Përvoja tregoi edhe sfida tipike të gjykatave hibride: financimin, sigurinë, marrëdhënien me sistemin vendor dhe trashëgiminë institucionale. (Jalloh, 2020)

Lufta civile në Sierra Leone (1991–2002) u zhvillua kryesisht ndërmjet qeverisë së Sierra Leones dhe forcave që e mbështesnin atë, përfshirë Civil Defence Forces (CDF), në njërën anë, dhe Revolutionary United Front (RUF), të udhëhequr nga Foday Sankoh, në anën tjetër. Konflikti u ndërlikua më tej nga ndërhyrja e Armed Forces Revolutionary Council (AFRC) dhe aleanca e tij me RUF-in pas grushtit të shtetit të vitit 1997. Pikërisht drejtues dhe pjesëtarë të lartë të këtyre formacioneve u proceduan më pas para Gjykatës Speciale për Sierra Leonen.

Në Gjykatën Speciale për Sierra Leonen u ngritën aktakuza ndaj 13 personave, ndërsa 9 prej tyre u dënuan. Të dënuarit përfshinin drejtues të lartë të palëve kryesore të konfliktit, përfshirë Revolutionary United Front (RUF), Armed Forces Revolutionary Council (AFRC) dhe Civil Defence Forces (CDF). Rasti më i njohur ishte ai i ish-presidentit të Liberisë, Charles Taylor, i cili u dënua me 50 vjet burgim për ndihmë dhe nxitje të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera në Sierra Leone. SCSL-ja u karakterizua nga një qasje selektive ndaj personave që konsideroheshin se mbanin “përgjegjësinë më të madhe” për krimet e konfliktit. (https://rscsl.org/)

Në Timorin Lindor, Administrata Tranzitore e Kombeve të Bashkuara në Timorin Lindor (UNTAET), krijoi përmes Rregullores 2000/15 panele me juridiksion ekskluziv mbi krimet e rënda. Ato funksionuan brenda Gjykatës së Qarkut në Dili dhe kombinuan gjyqtarë ndërkombëtarë dhe timorezë. Juridiksioni përfshinte gjenocidin, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, vrasjen, veprat seksuale dhe torturën sipas rregullores. Paralelisht u krijua një strukturë e specializuar prokuroriale. (UNTAET Regulation No. 2000/15)

Konflikti në Timorin Lindor lidhej me rezistencën e popullsisë dhe forcave pro pavarësisë së Timorit Lindor, përfshirë FALINTIL-in, kundër sundimit indonezian dhe forcave pro-integrimit me Indonezinë. Në vitin 1999, pasi 78.5% e votuesve zgjodhën rrugën drejt pavarësisë, milicitë pro-integrimit, të mbështetura në raste nga elemente të forcave indoneziane të sigurisë, zhvilluan një fushatë të gjerë dhune, vrasjesh, plaçkitjesh dhe zhvendosjeje të popullsisë. Pikërisht krimet e lidhura me këtë periudhë u bënë objekt i rëndësishëm i punës së Paneleve Speciale për Krime të Rënda të krijuara nën UNTAET.

Në Timorin Lindor, Panelet Speciale për Krime të Rënda (Special Panels for Serious Crimes), të krijuara nga UNTAET në kuadër të Gjykatës së Qarkut të Dilit, zhvilluan procese ndaj 87 të pandehurve, prej të cilëve 84 u dënuan dhe 3 u shpallën të pafajshëm, sipas të dhënave përfundimtare të OKB-së. Megjithatë, një kufizim i rëndësishëm ishte se një numër shumë i madh i personave të akuzuar mbetën jashtë juridiksionit të Timor-Lestes, kryesisht në Indonezi: Njësia për Krime të Rënda kishte ngritur 95 aktakuza ndaj 391 personave, ndërsa qindra prej tyre nuk u sollën asnjëherë para gjykatës.( https://digitallibrary.un.org/)

Eksperimenti i Timorit Lindor tregoi potencialin dhe kufijtë e drejtësisë së ndërkombëtarizuar në një administratë tranzitore. Kapacitetet vendore ishin të kufizuara dhe shumë të dyshuar ndodheshin jashtë territorit. Laura Dickinson argumenton se gjykatat hibride mund të krijojnë lidhje më të forta me sistemin vendor se tribunalet plotësisht ndërkombëtare, por rezultatet varen nga dizajni institucional dhe burimet. (Dickinson, 2003)

Kosova: panelet e përziera të UNMIK-ut

Pas vitit 1999, rindërtimi i sistemit gjyqësor të Kosovës u zhvillua në kushte të mungesës së kapaciteteve dhe numrit të rasteve të ndjeshme. Rregullorja 2000/6 mundësoi fillimisht emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë në Mitrovicë. Rregullorja 2000/64 më pas krijoi bazën për caktimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë në raste të caktuara dhe për trupa gjykues me shumicë ndërkombëtare. (UNMIK Regulation No. 2000/6; UNMIK Regulation No. 2000/64.)

Të ashtuquajturat Regulation 64 Panels nuk ishin tribunal i veçantë ndërkombëtar. Ato funksiononin brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, por me pjesëmarrje ndërkombëtare dhe me bazë normative të administratës së OKB-së. Për këtë arsye literatura i klasifikon si gjykata të ndërkombëtarizuara ose hibride. Stahn e vendos këtë model brenda eksperimentimit më të gjerë me administrimin territorial ndërkombëtar. (Stahn, 2008)

Panelet synonin të rrisnin paanshmërinë dhe besueshmërinë në rastet e krimeve të luftës, krimeve ndëretnike dhe veprave të tjera të ndjeshme. Megjithatë, sistemi u kritikua për fragmentimin e kuadrit juridik, kohëzgjatjen e procedurave dhe mungesën e një strategjie të qartë për transferimin e kapaciteteve. Cerone dhe Baldwin e përshkruajnë Kosovën si model unik, ku gjyqtarët e prokurorët ndërkombëtarë u integruan në gjykatat vendore dhe zbatonin një kombinim të së drejtës vendore dhe ndërkombëtare. (Cerone & Baldwin)

EULEX-i

Me funksionalizimin e EULEX-it në dhjetor 2008, ndërkombëtarizimi i drejtësisë mori formë të re. EULEX-i kishte funksion monitorues, mentorues dhe këshillues, por deri në qershor 2018 kishte edhe mandat ekzekutiv që përfshinte hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e krimeve të luftës dhe veprave të tjera serioze. Prokurorët e EULEX-it hetonin dhe ngrinin aktakuza, ndërsa gjyqtarët ndërkombëtarë merrnin pjesë në trupa gjykues brenda gjykatave të Kosovës. (Short History of EULEX )

EULEX-i nuk krijoi një sistem gjykatash paralel. Gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë u integruan në institucionet ekzistuese dhe ushtruan kompetenca sipas ligjit të Kosovës. Pas ndryshimeve të vitit 2014 kompetencat u kufizuan kryesisht në rastet në vazhdim, ndërsa në vitin 2018 përfundoi mandati ekzekutiv gjyqësor dhe dosjet përkatëse iu transferuan autoriteteve vendore. (Statement of EULEX,” 6 March 2024)

Dhomat e Specializuara të Kosovës

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar përfaqësojnë fazën më të re të këtij evolucioni. Ato u krijuan mbi bazën e një marrëveshjeje ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi, Amendamentit kushtetues numër 24 të nenit 162 dhe Ligjit nr. 05/L-053 të vitit 2015. Juridikisht janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe të bashkëngjitura në nivelet përkatëse të tij, por selinë e kanë në Hagë dhe gjyqtarët, prokurorët e personeli janë ndërkombëtarë.

Juridiksioni është i kufizuar ratione temporis, materiae, personae dhe loci. Ligji përcakton kompetencë për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe vepra të tjera sipas së drejtës së Kosovës, në kuadër të mandatit të përcaktuar, për periudhën 1 janar 1998–31 dhjetor 2000. Dhomat kanë përparësi ndaj gjykatave të tjera të Kosovës brenda juridiksionit të tyre. Struktura përfshin gjyqtarin e procedurës paraprake, trupat gjykues, panelet e apelit, panelet e Gjykatës Supreme dhe panelin e Gjykatës Kushtetuese. (Ligji Nr. 05/L-053)

Në literaturë, natyra e Dhomave është përshkruar si model i ri hibrid ose i ndërkombëtarizuar. Korenica, Zhubi dhe Doli theksojnë dualitetin e tij: baza kushtetuese dhe ligjore është kosovare, ndërsa organizimi, personeli, vendndodhja dhe një pjesë e rëndësishme e mbështetjes institucionale janë ndërkombëtare. (Korenica, et.al. 2016) Kjo strukturë dallon si nga ICTY-ja, ashtu edhe nga panelet e UNMIK-ut dhe mekanizmi i EULEX-it.

Themelimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës i parapriu një proces disa vjeçar juridik dhe politik, i cili filloi me Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dokumenti 12462, të 7 janarit 2011, të hartuar nga raportuesi Dick Marty, ku paraqiteshin pretendime për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë. Pas këtij raporti, Bashkimi Evropian krijoi Task Forcën Hetimore Speciale (Special Investigative Task Force – SITF), e cila filloi punën në shtator 2011 me mandat për të zhvilluar hetime penale të pavarura lidhur me pretendimet e ngritura në raport. Në korrik 2014, Kryeprokurori i SITF-së, Clint Williamson, njoftoi se provat e mbledhura ishin të një peshe të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave ndaj disa ish zyrtarëve të lartë të UÇK-së, duke krijuar kështu nevojën për një mekanizëm të posaçëm gjyqësor që do t’i trajtonte çështjet e dala nga këto hetime.

Një hap vendimtar juridik ishte Shkëmbimi i Letrave i prillit 2014 ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, përmes të cilit u dakordua krijimi i dhomave të veçanta gjyqësore dhe i një prokurorie të specializuar; kjo marrëveshje u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me Ligjin nr. 04/L-274. Procesi u përmbyll më 3 gusht 2015, kur Kuvendi miratoi ndryshimin kushtetues që shtoi nenin 162 të Kushtetutës – “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar” – dhe Ligjin nr. 05/L-053, i cili përcaktoi organizimin, juridiksionin dhe funksionimin e këtyre institucioneve. Në këtë mënyrë, Dhomat u krijuan formalisht si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por me strukturë, personel dhe funksionim të ndërkombëtarizuar.

Dhomat e Specializuara duhet të analizohen edhe në kontekstin më të gjerë të debatit mbi legjitimitetin e drejtësisë penale ndërkombëtare, ku ligjshmëria formale e një institucioni nuk është domosdoshmërisht e barabartë me pranueshmërinë dhe legjitimitetin e tij shoqëror. Në këtë drejtim, selektiviteti i ndjekjes penale, perceptimi i publikut, mbrojtja e dëshmitarëve, kohëzgjatja e procedurave dhe raporti i gjykatës me shoqërinë ku pretendohet se janë kryer krimet përbëjnë sfida që janë shfaqur edhe në modele të tjera të drejtësisë penale ndërkombëtare. Në rastin e Kosovës, çështja e selektivitetit merr rëndësi të veçantë për shkak të mandatit specifik të Dhomave dhe faktit se çështjet e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të proceduara prej tyre janë përqendruar te ish-pjesëtarë të UÇK-së. Kjo ka ndikuar në debatin publik mbi raportin ndërmjet përgjegjësisë penale individuale, e cila është objekt i procesit gjyqësor, dhe perceptimit se proceset mund të prekin më gjerësisht interpretimin historik të luftës së UÇK-së.

Një nga çështjet më të debatueshme lidhur me Dhomat e Specializuara është selektiviteti i juridiksionit të tyre. Edhe pse Ligji nr. 05/L-053 juridikisht nuk përcakton se Dhomat kanë kompetencë vetëm ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, juridiksioni i tyre material është lidhur drejtpërdrejt me pretendimet e Raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011, ndërsa procedurat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit janë përqendruar te ish-pjesëtarë dhe ish-drejtues të UÇK-së. Kjo asimetri bëhet veçanërisht e ndjeshme kur vendoset në kontekstin historik të luftës së Kosovës dhe të krimeve të dokumentuara kundër popullsisë shqiptare. TPNJ-ja ka konstatuar gjyqësisht se gjatë vitit 1999 forcat e RFJ-së dhe Serbisë zhvilluan një fushatë dhune që përfshinte dëbimin dhe zhvendosjen e dhunshme të shqiptarëve të Kosovës, vrasje, dhunë seksuale dhe shkatërrim të objekteve fetare, duke dënuar për këto krime zyrtarë të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë serbë e jugosllavë. Në këtë kontekst, në Kosovë UÇK-ja kuptohet gjerësisht si forcë çlirimtare që luftoi kundër forcave serbe/jugosllave, ndërsa përqendrimi i një mekanizmi të ri të drejtësisë pothuajse ekskluzivisht te ish-pjesëtarët e saj ka krijuar perceptimin e një selektiviteti të theksuar të drejtësisë. Ky problem duhet dalluar nga përgjegjësia individuale: karakteri çlirimtar apo mbrojtës që i atribuohet luftës së UÇK-së nuk përjashton juridikisht përgjegjësinë e individëve për krime eventuale, por as ndjekja e individëve nuk duhet të interpretohet si përgjegjësi penale e UÇK-së në tërësi ose si rivlerësim gjyqësor i karakterit të luftës së saj.

Edhe konteksti politik që çoi në krijimin e Dhomave kërkon trajtim kritik, por me kujdes në dallimin ndërmjet fakteve të dokumentuara dhe pretendimeve politike. Raporti i Dick Marty-t dhe procesi që pasoi krijuan bazën politike dhe hetimore nga e cila u zhvilluan SITF-ja dhe më pas Dhomat e Specializuara. Debati mbi selektivitetin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara nuk mund të shkëputet nga procesi politik dhe institucional që i parapriu krijimit të tyre. Një moment i rëndësishëm dhe shpesh i anashkaluar në këtë histori është iniciativa e Konstantin Kosachev-it, përfaqësues i Federatës Ruse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili më 15 prill 2008 paraqiti mocionin për rezolutë, Motion for a Resolution Doc. 11574, Inhumane Treatment of People and Illicit Trafficking in Human Organs in Kosovo. Ndër nënshkruesit e tij ishte edhe përfaqësuesi i Serbisë, Miloš Aligrudić, si dhe përfaqësuesi tjetër rus Mikhail Margelov. Pikërisht ky mocion iu referua Komitetit për Çështje Juridike dhe të Drejtat e Njeriut dhe çoi në procesin hetimor të udhëhequr nga Dick Marty, i cili përfundoi me Raportin Doc. 12462 të vitit 2011. Serbia vazhdoi më pas ta shtynte çështjen në nivel ndërkombëtar, duke kërkuar në vitin 2011 edhe krijimin e një mekanizmi ad hoc nën autoritetin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për hetimin e pretendimeve për trafikim organesh. Në këtë kuptim, ekziston një bazë dokumentare për të argumentuar se Rusia dhe Serbia luajtën rol aktiv në inicimin dhe promovimin ndërkombëtar të çështjes që, përmes një zinxhiri të mëvonshëm institucional, kontribuoi në krijimin e premisave politike dhe hetimore për Dhomat e Specializuara. Ky kontekst merr rëndësi të veçantë kur analizohet selektiviteti i juridiksionit. Pretendimet e ngritura fillimisht rreth trafikimit të organeve dhe trajtimit çnjerëzor u shndërruan gradualisht në një mekanizëm të specializuar të drejtësisë, procedurat e të cilit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit janë përqendruar te ish-pjesëtarët dhe drejtuesit e UÇK-së. Për shoqërinë kosovare kjo krijon një kontrast të fortë historik: popullsia shqiptare e Kosovës kishte përjetuar vrasje, dëbime dhe zhvendosje të dhunshme dhe krime të tjera nga forcat serbe dhe jugosllave, të dokumentuara edhe në aktgjykimet e TPNJ-së, ndërsa mekanizmi i ri i specializuar u ndërtua mbi një proces që kishte në qendër pretendimet për krime të lidhura me UÇK-në. Për këtë arsye, kritika ndaj Dhomave në Kosovë nuk lidhet vetëm me përgjegjësinë penale të individëve, e cila duhet të përcaktohet ekskluzivisht mbi bazën e provave, por edhe me pyetjen më të gjerë nëse selektiviteti i mandatit dhe origjina politike e procesit kanë prodhuar një drejtësi të perceptuar si asimetrike në raport me përmasat dhe natyrën e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Po aq i rëndësishëm është fakti se krijimi i Dhomave u bë nën presion të konsiderueshëm diplomatik ndërkombëtar: partnerët perëndimorë kërkuan nga udhëheqja e Kosovës që mekanizmi të themelohej përmes institucioneve të saj, ndërsa Hashim Thaçi, atëherë një nga figurat qendrore të udhëheqjes shtetërore, e mbështeti këtë proces. Për këtë arsye, kundërshtarët e Dhomave në Kosovë e konsiderojnë krijimin e tyre një padrejtësi të thellë ndaj një shoqërie që kishte përjetuar dëbime masive, vrasje dhe krime të tjera nga forcat serbe dhe jugosllave.

Legjitimiteti i Dhomave të Specializuara mund të vihet në diskutim edhe përmes raportit ndërmjet premisave që çuan në krijimin e tyre dhe asaj që u provua përfundimisht në proceset gjyqësore. Zanafilla politike dhe institucionale e procesit gjendet në mocionin e Konstantin Kosachevit të vitit 2008 për “trajtimin çnjerëzor dhe trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, të pasuar nga Raporti i Dick Marty-t i vitit 2011 me të njëjtin titull, raport me të cilin vetë neni 162 i Kushtetutës së Kosovës e lidh krijimin e Dhomave të Specializuara. Megjithatë, pretendimi më tronditës që kishte dominuar këto dokumente dhe diskursin ndërkombëtar – trafikimi i organeve – nuk u materializua në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Për më tepër, në aktgjykimin e shkallës së parë të vitit 2026, Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit të pafajshëm për krimet kundër njerëzimit, pasi Prokuroria nuk arriti të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile. Ky rezultat krijon një bazë serioze për kritikën e legjitimitetit material të procesit themelues: pretendimet që patën peshën më të madhe në mobilizimin politik dhe institucional për krijimin e këtij mekanizmi ose nuk u shndërruan në akuza, ose – sa u përket krimeve kundër njerëzimit në çështjen kryesore Thaçi et al. – nuk u provuan. Për këtë arsye, mund të argumentohet se ekziston një hendek i konsiderueshëm ndërmjet narrativës që legjitimoi politikisht krijimin e një mekanizmi të jashtëzakonshëm gjyqësor dhe rezultateve juridike që ai prodhoi, çka ushqen debatin nëse themelimi i Dhomave ishte proporcionalisht i justifikuar nga premisat mbi të cilat u ndërtua.

Analizë krahasuese e gjykatave penale ndërkombëtare dhe Dhomave të Specializuara të Kosovës

Dhomat e Specializuara, formalisht janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës, por funksionojnë në Hagë dhe personeli gjyqësor e prokurorial është ndërkombëtar. Kjo i dallon si nga ICTY-ja, që ishte tribunal ndërkombëtar i krijuar nga Këshilli i Sigurimit, ashtu edhe nga panelet e UNMIK-ut dhe EULEX-i, ku ndërkombëtarët vepronin brenda sistemit gjyqësor në Kosovë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës paraqesin një model institucional të pazakontë në historinë e drejtësisë penale ndërkombëtare. Ato janë themeluar mbi bazën e Kushtetutës dhe legjislacionit të Republikës së Kosovës dhe formalisht janë pjesë e sistemit gjyqësor të saj, por selinë e kanë në Hagë dhe funksionojnë me gjyqtarë, prokurorë dhe personel ndërkombëtar. Ligji nr. 05/L-053 ua njeh juridiksionin mbi persona fizikë për krimet që hyjnë në kompetencën e tyre dhe që lidhen me mandatin e përcaktuar nga ligji. Kjo strukturë i dallon si nga tribunalet plotësisht ndërkombëtare, ashtu edhe nga modelet klasike hibride, në të cilat komponenti vendor dhe ai ndërkombëtar bashkëjetojnë më dukshëm brenda të njëjtit institucion. (Ligji nr. 05/L-053, nenet 3, 6–10, 24–25).

Një krahasim historik me Nurembergun dhe Tokion nxjerr në pah një dilemë të rëndësishme të selektivitetit. Tribunalet e pas Luftës së Dytë Botërore u krijuan nga fuqitë fituese dhe juridiksioni i tyre u ushtrua ndaj drejtuesve politikë dhe ushtarakë të fuqive të Boshtit. Nurembergu gjykoi drejtuesit kryesorë të Gjermanisë naziste, ndërsa Tokio drejtuesit politikë dhe ushtarakë japonezë. Përfaqësuesit e fuqive aleate nuk iu nënshtruan një procesi ekuivalent para këtyre dy tribunaleve, çka u bë bazë për kritikën e njohur të “drejtësisë së fituesve”. Megjithatë, është më e saktë juridikisht të thuhet se këto tribunale u përqendruan te udhëheqja e fuqive agresore të mundura, jo se ato gjykuan çdo autor krimi të kryer gjatë luftës. Edhe kriminelë të tjerë të luftës u ndoqën më pas në procese kombëtare dhe ushtarake të veçanta. (IMT Charter, 1945, neni 6; U.S. Department of State, Office of the Historian).

Rasti i Kosovës paraqet një konfigurim pothuajse të kundërt dhe për këtë arsye është i përshtatshëm për analizë krahasuese. Konflikti i viteve 1998–1999 u zhvillua ndërmjet forcave të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa TPNJ-ja më vonë dënoi disa zyrtarë të lartë serbë dhe jugosllavë për krime të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës. Nga ana tjetër, TPNJ-ja ndoqi penalisht edhe pjesëtarë të UÇK-së, dhe u shpallën të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Kjo histori është e rëndësishme sepse tregon se drejtësia ndërkombëtare para krijimit të Dhomave kishte ushtruar juridiksion ndaj personave të lidhur me të dyja palët e konfliktit. (TPNJ, Judgement List; Limaj et al.; Haradinaj et al.; ICTY, 2014).

Dhomat e Specializuara kanë një mandat shumë më të ngushtë. Ligji i tyre nuk e formulon juridiksionin thjesht si juridiksion “ndaj UÇK-së”; ai përcakton juridiksion mbi persona fizikë dhe e lidh kompetencën materiale me krimet që lidhen me Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011 (raporti Dick Marty). Megjithatë, në praktikën e deritanishme, çështjet kryesore të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit para Dhomave kanë pasur në qendër ish-pjesëtarë ose ish-drejtues të UÇK-së. Ky fokus krijon një dallim të dukshëm me TPNJ-në dhe ushqen debatin mbi selektivitetin: institucioni është krijuar pas një konflikti në të cilin krime të rënda ndaj shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe dhe jugosllave janë konstatuar dhe ndëshkuar nga TPNJ-ja, por mandati i ri i specializuar është ndërtuar rreth një grupi tjetër pretendimesh, të lidhura kryesisht me persona të UÇK-së. (Ligji nr. 05/L-053, nenet 6–9; PACE, Doc. 12462, 2011).

Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, karakterizimi politik ose ushtarak i kauzës së një pale nuk përjashton përgjegjësinë individuale për shkelje të ligjeve të luftës; njëkohësisht, përgjegjësia individuale e një personi nuk mund të shndërrohet në përgjegjësi kolektive të një organizate ose të një lufte të tërë. (Cassese et al., 2013).

Pikërisht këtu lind dilema kryesore e Dhomave në kontekstin kosovar. Për shoqërinë kosovare, UÇK-ja është forcë që zhvilloi luftë çlirimtare dhe mbrojtëse kundër represionit dhe forcave shtetërore serbe. Në këtë perspektivë, fakti që një mekanizëm i ri, i vendosur jashtë Kosovës dhe me personel ndërkombëtar, procedon çështje që lidhen kryesisht me ish-pjesëtarë të UÇK-së krijojë perceptimin e një asimetrie historike.

Në këtë aspekt, Dhomat dallojnë edhe nga panelet e UNMIK-ut dhe mekanizmi gjyqësor i EULEX-it. Gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë të këtyre mekanizmave vepronin brenda sistemit gjyqësor në Kosovë dhe mandati i tyre nuk ishte ndërtuar ekskluzivisht rreth një raporti të vetëm ndërkombëtar. Dhomat, ndërkaq, kanë një juridiksion të specializuar, një strukturë të veçuar dhe një seli jashtë vendit. Kjo mund të arsyetohet institucionalisht me kërkesat për pavarësi, siguri të dëshmitarëve dhe integritet të procedurës, por njëkohësisht e shton distancën ndërmjet gjykatës dhe shoqërisë së cilës proceset e saj i referohen.

Përfundimi

Historia e drejtësisë penale ndërkombëtare tregon se asnjë prej modeleve të krijuara pas konflikteve të mëdha nuk ka qenë i liruar nga dilemat e legjitimitetit, selektivitetit dhe ndikimit politik. Nurembergu dhe Tokio vendosën themelet e përgjegjësisë penale individuale, por u kritikuan si drejtësi e fituesve; TPNJ-ja krijoi një jurisprudencë të gjerë për krimet e kryera në ish-Jugosllavi dhe ushtroi juridiksion ndaj personave nga palë të ndryshme të konflikteve; ndërsa gjykatat hibride të Sierra Leones dhe Timorit Lindor, si dhe përvojat e UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë, dëshmuan përpjekjen për të kombinuar standardet ndërkombëtare me sistemet vendore. Dhomat e Specializuara përbëjnë një model tjetër: formalisht janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës, por funksionojnë jashtë territorit të saj, me personel ndërkombëtar dhe me një juridiksion të specializuar që në praktikë është përqendruar te ish-pjesëtarët dhe drejtuesit e UÇK-së.

Pikërisht këtu qëndron edhe dilema më e madhe e legjitimitetit të këtij institucioni. Procesi që çoi në krijimin e Dhomave mori shtysë nga pretendimet për trajtim çnjerëzor dhe trafikim organesh, të ngritura fillimisht në iniciativën e Konstantin Kosachevit dhe më pas në Raportin e Dick Marty-t, ndërsa pretendimi për trafikim organesh nuk u materializua në aktakuzën e çështjes Thaçi et al. Në aktgjykimin e shkallës së parë të 16 shtatorit 2026, të katër të akuzuarit u shpallën gjithashtu të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, pasi Trupi Gjykues konstatoi se Prokuroria nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile. Ky dallim është thelbësor. Përgjegjësia individuale për krime të provuara duhet të trajtohet sipas standardeve të së drejtës penale, por ajo nuk mund të shndërrohet në gjykim të UÇK-së si organizatë, të karakterit të luftës së saj apo të një populli të tërë.

Për Kosovën, kjo çështje është veçanërisht e ndjeshme sepse drejtësia nuk mund të shkëputet nga konteksti historik i konfliktit dhe nga përvoja e popullsisë civile. Krimet e kryera nga forcat serbe dhe jugosllave, dëbimet dhe zhvendosjet e dhunshme, vrasjet dhe format e tjera të dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës janë pjesë e dokumentuar edhe e jurisprudencës së TPNJ-së. Në këtë sfond, përqendrimi i një mekanizmi të ri dhe të jashtëzakonshëm gjyqësor te ish-pjesëtarët e UÇK-së krijon një debat të pashmangshëm mbi drejtësinë selektive dhe asimetrinë e saj. Një sistem drejtësie nuk e fiton legjitimitetin vetëm nga akti juridik që e themelon; legjitimiteti varet edhe nga paanshmëria e perceptuar, koherenca e mandatit dhe aftësia për ta bindur shoqërinë se drejtësia po zbatohet në mënyrë të barabartë.

Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, prandaj, nuk duhet të jetë fundi i debatit, por një arsye për ta zhvilluar atë mbi bazën e fakteve dhe njohjes së historisë së drejtësisë penale ndërkombëtare. Përgjegjësia penale është dhe duhet të mbetet individuale. Njëkohësisht, edhe institucionet që ushtrojnë drejtësinë duhet t’i nënshtrohen analizës kritike për origjinën, mandatin, selektivitetin dhe legjitimitetin e tyre. Vetëm duke i mbajtur të ndara këto dy çështje mund të mbrohet njëkohësisht parimi i përgjegjësisë për krimet individuale dhe e vërteta historike mbi luftën e Kosovës.

Një çështje tjetër që duhet shtruar në debatin mbi legjitimitetin dhe domosdoshmërinë e Dhomave të Specializuara është fakti se, para themelimit të tyre, krimet e pretenduara të kryera gjatë luftës në Kosovë, përfshirë ato që u atribuoheshin pjesëtarëve të UÇK-së, kishin qenë tashmë objekt i juridiksionit të disa mekanizmave gjyqësorë ndërkombëtarë ose të ndërkombëtarizuar. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë kishte juridiksion mbi krimet e rënda të kryera në territorin e Kosovës dhe zhvilloi procese edhe ndaj drejtuesve dhe pjesëtarëve të UÇK-së. Pas luftës, gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë të UNMIK-ut, përfshirë panelet e përziera të krijuara sipas Rregullores 2000/64, hetuan, ndoqën dhe gjykuan raste të krimeve të luftës brenda sistemit gjyqësor të Kosovës. Këtë rol e vazhdoi më pas EULEX-i, i cili nga viti 2008 deri në vitin 2018 kishte mandat ekzekutiv për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e krimeve të luftës dhe, sipas vetë EULEX-it, zhvilloi hetime dhe gjykime ndaj personave të etnive të ndryshme.

Prandaj, krijimi në vitin 2015 i një mekanizmi të katërt të specializuar për një kategori të krimeve të lidhura me të njëjtin konflikt ngre një pyetje legjitime mbi domosdoshmërinë e tij juridike dhe institucionale. Mund të argumentohet se sistemi ekzistues – TPNJ-ja në nivel ndërkombëtar dhe mekanizmat e UNMIK-ut, EULEX-it dhe gjykatat e Kosovës në nivel vendor – kishte tashmë bazë juridike dhe përvojë për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, përfshirë pretendimet ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Nga kjo perspektivë kritike, nuk ishte e kuptueshme se ekzistonte nevoja juridike për krijimin e një gjykate të re, të veçuar dhe me juridiksion të specializuar; një alternativë do të kishte qenë që pretendimet e reja të hetoheshin dhe, nëse ekzistonin prova të mjaftueshme, të procedoheshin përmes mekanizmave ekzistues.

Në fund, drejtësia penale ndërkombëtare e humbet një pjesë thelbësore të legjitimitetit të saj kur perceptohet se vepron në mënyrë selektive; prandaj, pas TPNJ-së, UNMIK-ut dhe EULEX-it – mekanizma që kishin tashmë kompetencë për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë – krijimi i një gjykate të katërt, me mandat të jashtëzakonshëm dhe të përqendruar në praktikë te ish-pjesëtarët e UÇK-së, do të mbetet një nga çështjet më të debatueshme të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe një provë e vështirë për parimin se drejtësia duhet jo vetëm të bëhet, por edhe të perceptohet si e barabartë për të gjithë.

Related

Previous Post

Kurti dhe von der Leyen vizitojnë objektin e ri të Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave Natyrore

Next Post

KPK shkarkon Blerim Isufajn nga drejtimi i Prokurorisë Speciale, Dren Paca caktohet u.d.

Next Post
KPK shkarkon Blerim Isufajn nga drejtimi i Prokurorisë Speciale, Dren Paca caktohet u.d.

KPK shkarkon Blerim Isufajn nga drejtimi i Prokurorisë Speciale, Dren Paca caktohet u.d.

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.