Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës po afrohet, ndërsa përpjekjet e liderëve politikë për të arritur një marrëveshje kanë hyrë në ditët vendimtare.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti të shtunën është takuar me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, ndërsa para këtij takimi ka zhvilluar takim edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Takimet nuk kanë prodhuar marrëveshje. PDK-ja ka bërë të qartë se është e gatshme të votojë për zgjedhjen e presidentit, por vetëm pasi Kuvendi të miratojë në dy lexime ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj, Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë e të gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin”, ka deklaruar Hamza pas takimit me Kurtin.
Hamza ka thënë se diskutimet me Kurtin kanë përfunduar, por ka ende hapësirë për një marrëveshje.
“Bisedat i kemi përfunduar. Janë edhe disa ditë ku kemi mundësi të arrijmë marrëveshje. Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja. Por kjo është kërkesa jonë dhe nuk ka të bëjë me nevojën për PDK-në. Ligji kalon nevojat përtej PDK-së dhe ka të bëjë me një çështje tjetër”, është shprehur ai.
Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka deklaruar se nëse ndryshimet e Ligjit për Specialen miratohen në dy lexime, partia e saj do t’i vërë në dispozicion 22 votat për zgjedhjen e presidentit.
Sipas saj, kandidati për president duhet të jetë një figurë që mund të afrojë subjektet politike dhe të shmangë zgjedhjet e reja parlamentare.
Afati kushtetues përfundon më 6 tetor
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Vendimi erdhi pasi Gjykata konstatoi se Kuvendi ishte konstituuar përtej afatit 30-ditor, duke bërë që të fillojë rrjedhja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.
Nëse presidenti nuk zgjidhet deri në këtë afat, vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat duhet të mbahen më së largu deri më 15 nëntor.
Kjo do të ishte hera e katërt që Kosova do të shkonte në zgjedhje brenda një periudhe më pak se dyvjeçare.
PDK-ja kërkon ndryshimin e Ligjit për Specialen
PDK-ja ka kërkuar ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke synuar kufizimin e mandatit të tyre dhe ndryshimin e mënyrës së trajtimit të rasteve të krimeve të luftës.
Sipas projektligjit të propozuar nga PDK-ja, mandati i Gjykatës Speciale do të kufizohej në trajtimin e krimeve të pretenduara të përfshira në raportin e Dick Martyt, ndërsa për krimet e luftës të trajtuara në rastet e ish-krerëve të UÇK-së parashihet që gjykimet të zhvillohen në Kosovë. Projektligji parasheh gjithashtu monitorim ndërkombëtar të punës së Dhomave të Specializuara.
PDK-ja ka 22 deputetë, ndërsa koalicioni qeverisës ka 62. Së bashku, këto vota e kalojnë pragun prej 80 votash që kërkohet për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para.
LDK-ja, ndërkohë, ka 18 deputetë, ndërsa AAK-ja ka mbajtur qëndrim refuzues ndaj takimeve me Vetëvendosjen dhe ka paraqitur kërkesa të tjera politike.
Tashmë, vëmendja është përqendruar te ditët e fundit para 6 tetorit, kur partitë politike duhet të gjejnë një kompromis për zgjedhjen e presidentit ose vendi rrezikon të hyjë sërish në proces zgjedhor.

