Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve, pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje politike për votimin e menjëhershëm të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Përmes një njoftimi, OVL-UÇK ka ftuar qytetarët që të hënën, më 5 tetor, nga ora 12:00, të mblidhen para Kuvendit të Kosovës për të shprehur pakënaqësinë ndaj qasjes së pushtetit.
“Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje politike për votimin e menjëhershëm të plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, si dhe pas lojës së vazhdueshme politike e procedurale të Albin Kurtit me një çështje kaq të ndjeshme, durimi i veteranëve të UÇK-së dhe i qytetarëve të Kosovës po merr fund”, thuhet në reagim.
Organizata ka shprehur kritika ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për kalkulime politike lidhur me çështjen e Gjykatës Speciale.
“Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë thellësisht të indinjuara me qasjen e z. Kurt, i cili po bën kalkulime politike edhe me dhimbjen, sakrificën dhe dinjitetin e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas OVL-UÇK-së, afati për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe procedurale që do të mundësonte votimin e menjëhershëm të të dy leximeve të ndryshimeve të ligjit është deri të dielën.
“Nëse deri nesër nuk ka dakordim, nga e hëna veteranët e UÇK-së do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre”, paralajmëron organizata.
OVL-UÇK ka thënë se veteranëve dhe qytetarëve u është shterur durimi, duke kërkuar nga qytetarët që t’i bashkohen tubimit të së hënës para Kuvendit të Kosovës.
“Të hënën, në ora 12:00, ju ftojmë të gjithëve para Kuvendit të Kosovës”, përfundon njoftimi.

