Komisioni për Legjislacion pritet të mblidhet nesër në ora 08:00 për të shqyrtuar dhe miratuar projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Sipas burimeve të IndeksOnline brenda Kuvendit, pas përfundimit të punës së Komisionit, projektligji pritet t’i përcillet menjëherë Kuvendit për shqyrtim dhe votim.
Po sipas këtyre burimeve, pas mbledhjes së Komisionit pritet të bëhet edhe kërkesa për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku do të votohej projektligji.
Qeveria dha dritën jeshile për procedimin
Qeveria e Kosovës tashmë ka dhënë qëndrimin e saj lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Sipas qëndrimit të Qeverisë, nuk ekzistojnë pengesa ligjore për vazhdimin e procedimit të kësaj nisme.
Çështja e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara është bërë një nga pikat kryesore në negociatat politike për zgjedhjen e presidentit, pasi PDK-ja ka kërkuar që ndryshimet të miratohen para se të japë mbështetjen për zgjedhjen e presidentit.
Ndërkohë, afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor, duke e bërë procedurën e ardhshme parlamentare veçanërisht të rëndësishme.

