Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka ftuar Grupin Parlamentar të PDK-së në takim për t’i informuar deputetët rreth takimeve të fundit me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit.
Para mbledhjes, Hamza ka përsëritur se qëndrimi i PDK-së lidhet me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe jo vetëm me interesat e partisë.
“UÇK është më e madhe se PDK-ja. Historia, e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës është më e madhe se gjithçka. Kosova është më e madhe se ne”, ka deklaruar Hamza.
Sipas tij, qëndrimi i PDK-së është që fillimisht të miratohet ligji në dy lexime dhe më pas të procedohet me zgjedhjen e presidentit.
“Me u aprovuar ligji në të dyja leximet, pastaj me u propozu emri për president dhe me u zgjedh presidenti e me i shmang zgjedhjet. Nëse dikush tjetër ka plan me çu vendin në zgjedhje, është send tjetër”, tha Hamza.
PDK kërkon miratimin e ligjit para zgjedhjes së presidentit
Pas takimit të fundit me Kurtin, Hamza kishte deklaruar se PDK-ja është e gatshme të kontribuojë në zgjedhjen e presidentit menjëherë pasi të miratohen ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Ai ka thënë se bisedimet kanë përfunduar pa marrëveshje, por ka lënë të hapur mundësinë për takime të reja në ditët në vijim.
Ndërkohë, Qeveria ka miratuar vendimin që i hap rrugë procedimit të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Musliu: Ligji për Specialen nuk pret
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, para mbledhjes së Grupit Parlamentar dhe Kryesisë së partisë, tha se PDK-ja nuk i është shmangur përgjegjësisë institucionale.
Ajo deklaroi se partia synon të kontribuojë në zgjidhjen e situatës politike, ndërsa theksoi se çështja që, sipas saj, nuk mund të presë është ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Jemi duke u munduar me bërë më të mirën për Kosovën. Ajo çka nuk pret momentalisht është ligji për Dhomat e Specializuara, të tjerat presin”, tha Musliu.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor
Çështja e zgjedhjes së presidentit është bërë urgjente për shkak të afatit kushtetues.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor 2026. Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin brenda këtij afati, vendi hyn në një proces të ri kushtetues që mund të çojë në zgjedhje të reja.
Në ditët e fundit, Kurti ka zhvilluar takime me liderët e partive kryesore opozitare. Të premten u takua me Hamzën, ndërsa të shtunën me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas raportimeve, në fokus kanë qenë zgjedhja e presidentit dhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

