Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit se Lëvizja Vetëvendosje po e mbështet projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ndonëse, sipas tij, ka shqetësime lidhur me kohën dhe mënyrën e procedimit të tij.
Kurti tha se çështja kërkon më shumë analizë dhe se, sipas tij, do të ishte më e udhës që të pritej publikimi i plotë i aktgjykimit përkatës para se të ndërmerreshin ndryshime ligjore.
“Ne po ju themi se kjo çështje kërkon më shumë kohë dhe më shumë analizë. Ju po u thoni qytetarëve se e keni zgjidhjen. Ne nuk jemi të bindur se është kështu, por përsëri nuk do t’ju pengojmë”, tha Kurti.
Ai theksoi se LVV e ka kundërshtuar Gjykatën Speciale që nga fillimi, ndërsa tani, sipas tij, po e mbështet projektligjin për shkak se e konsideron çështje me interes të përbashkët.
“Për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq”
Në fjalimin e tij, Kurti foli edhe për luftën e UÇK-së, duke e cilësuar atë si luftë çlirimtare dhe antikolonialiste.
Ai tha se UÇK-ja ishte, sipas tij, përgjigje ndaj asaj që e cilësoi si gjenocid të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe deklaroi se “për UÇK-në nuk mund të ketë gjyq”.
Kurti bëri gjithashtu një interpretim historik të konflikteve shqiptaro-serbe dhe përmendi disa periudha të cilat ai i cilësoi si etapa të gjenocidit ndaj shqiptarëve.
Kurti: Duhet ligj për Hagën, por edhe president për Kosovën
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit të Kurtit ishte lidhja që ai bëri mes ndryshimeve të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Ai tha se Kosova ka nevojë për një strategji shtetërore dhe kombëtare për çështjen e Hagës, por se kjo, sipas tij, kërkon institucione funksionale.
“Duhet ligj për Gjykatën në Hagë, por duhet edhe President për Kosovën.”
Kurti paralajmëroi se miratimi i ligjit pa stabilitet institucional dhe pa zgjedhjen e presidentit, sipas tij, mund të krijojë pasiguri institucionale.
“Nuk mjafton vetëm të reagojmë ndaj një padrejtësie”
Kryeministri tha se ndryshimet ligjore duhet të shoqërohen me një strategji më të gjerë dhe paralajmëroi për pasojat e mundshme të vendimeve të nxituara.
“Nuk mjafton vetëm të reagojmë ndaj një padrejtësie, por duhet të sigurohemi që, duke tentuar ta korrigjojmë një gabim, të mos e prodhojmë një tjetër.”
Megjithatë, Kurti tha se LVV nuk do ta pengojë procesin dhe se po e mbështet projektligjin edhe në lexim të parë.
Në fund të fjalimit, ai falënderoi kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, për takimet që kanë zhvilluar dhe tha se do të takohen sërish për të diskutuar çështjet që lidhen me presidentin dhe situatën institucionale.
“Duhet të takohemi, duhet të merremi vesh, duhet të ecim përpara të gjithë bashkë”, deklaroi Kurti.

