Kryeministri Albin Kurti ka bërë një ofertë të re për kreun e PDK-së, Bedri Hamza, me synimin që, sipas tij, të shmangen zgjedhjet e reja në Kosovë.
Pas refuzimit të ofertës së parë, Kurti ka propozuar dy emra të rinj për president: kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, dhe ish-kandidaten për presidente, Feride Rushitin.
Kurti ka kërkuar nga Hamza që të japë një zotim publik se deputetët e PDK-së do të marrin pjesë në votimin për presidentin. Në këmbim, ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do ta votojë fillimisht Projektligjin për Dhomat e Specializuara.
“PDK refuzoi ofertën tonë për mbështetjen e Bekim Sejdiut dhe unë besoj që, në rast të përgjigjes së tyre pozitive, Bekim Sejdiu do të rikthehej. Përveç tij, kemi edhe dy emra, Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, të cilët po ashtu janë aktualë nëse ka interesim nga opozita”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri ka thënë se VV-ja është e gatshme ta votojë projektligjin për Dhomat e Specializuara para zgjedhjes së presidentit, nëse Hamza zotohet se grupi parlamentar i PDK-së do të marrë pjesë në votim.
“Bedri Hamza le të dalë publikisht sonte dhe të zotohet se i gjithë grupi parlamentar i PDK-së merr pjesë me votë në zgjedhje për president. Ne, pas zotimit të tyre, menjëherë po ia votojmë leximin e dytë, nëse ata mendojnë se nuk përbën problem afati 72-orësh. Ia votojmë paraprakisht ligjin, pastaj presidentin”, ka deklaruar Kurti.
Kurti është shprehur gjithashtu i gatshëm që seanca e Kuvendit të thirret menjëherë dhe të ketë vetëm dy pika të rendit të ditës: fillimisht votimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe më pas zgjedhjen e presidentit.

