Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, ka reaguar për herë të parë lidhur me projektin e planifikuar në Zvërnec të Vlorës, duke mohuar pretendimet se toka dhe të drejtat për zhvillimin e saj i janë dhënë nga qeveria shqiptare. Sipas tij, toka është blerë nga një palë private për 230 milionë euro, ndërsa investimi i përgjithshëm mund të arrijë në rreth 4 miliardë euro nëse projekti realizohet.
Në një reagim të publikuar në faqen e tij zyrtare, Kushner thekson se bëhet fjalë për një investim privat në pasuri të paluajtshme, ideja e të cilit daton që nga vera e vitit 2021, shumë përpara se Donald Trump të shpallte kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
“Toka nuk na u dha nga qeveria shqiptare. Partneriteti ynë e bleu atë nga një palë private për 230 milionë euro, në një transaksion privat, ndër çmimet më të larta të paguara në rajon për një marrëveshje të kësaj shkalle. Titulli i pronësisë u shqyrtua nga avokati dhe u verifikua”, deklaron Kushner.
Ai thotë se partnerët kanë investuar tashmë dhjetëra miliona dollarë në studimin e zonës, përfshirë aspektet mjedisore dhe potencialin e zhvillimit, duke angazhuar arkitektë, projektues, inxhinierë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.
Sipas Kushnerit, nëse projekti realizohet, ai mund të sjellë vende të reja pune, zhvillim të turizmit, aktivitet ekonomik dhe rritje të dukshmërisë ndërkombëtare të Shqipërisë.
“Po investojmë kapital të konsiderueshëm privat, duke vënë bast në një vend që nuk ka pasur kurrë një projekt të kësaj shkalle. Nuk ka garanci. Po e marrim këtë rrezik sepse besojmë te Shqipëria dhe te shqiptarët”, shprehet ai.
Kushner sqaron gjithashtu se është partner minoritar në projekt dhe se përfshirja e tij lidhet kryesisht me vizionin dhe dizajnin, ndërsa punën e përditshme e udhëheq partneri i tij i biznesit, Asher Abehsera, i cili, sipas tij, ka qenë i angazhuar në projekt gjatë katër viteve të fundit.
Në reagim përmendet edhe familja Kastrati, të cilën Kushner e cilëson si palën që ia prezantoi fillimisht mundësinë për blerjen e tokës. Ai përmend gjithashtu biznesmenët nga Katari, Ramez dhe Moutaz Alkhayyat, me të cilët thotë se është takuar për herë të parë në Doha gjatë Kupës së Botës 2022.
Kushner mohon lidhjen politike dhe ndërhyrjen për aeroportin
Duke iu përgjigjur pretendimeve se projekti mund të ketë avancuar për të siguruar favorin e Donald Trumpit, Kushner thotë se kjo e përmbys kronologjinë e ngjarjeve.
“Interesi ynë filloi në verën e vitit 2021, kur unë isha qytetar privat dhe shumë kohë përpara se presidenti Trump të shpallte fushatën e tij të vitit 2024”, deklaron ai.
Kushner kundërshton gjithashtu pretendimet se aeroporti i Vlorës është miratuar me kërkesën e tij. Sipas tij, aeroporti ishte miratuar përpara se ai ta shihte për herë të parë projektin dhe kjo ishte një nga arsyet që e tërhoqën drejt mundësive të zhvillimit të rajonit.
Projekti duhet të marrë miratimet mjedisore dhe rregullatore
Kushner pranon se komuniteti lokal ka pyetje dhe shqetësime legjitime lidhur me projektin në Zvërnec. Ai thekson se zhvillimi duhet të kalojë nëpër të gjitha procedurat përkatëse rregullatore dhe mjedisore në Shqipëri dhe të marrë miratimet e nevojshme për të vazhduar.
“Ambicia jonë është të ndërtojmë sipas standardeve më të larta të projektimit dhe mjedisit dhe ta lëmë këtë pjesë të jashtëzakonshme të Shqipërisë më të gjelbër, më biodiverse dhe më të fortë nga ana mjedisore”, thuhet në reagimin e tij.
Ai shton se vendimi përfundimtar nëse projekti do të vazhdojë i takon Shqipërisë.
“Nëse miratohet, shpresoj se mund të krijojmë diçka për të cilën shqiptarët do të jenë krenarë dhe që familjet nga Shqipëria dhe nga e gjithë bota do ta gëzojnë për breza të tërë”, përfundon Kushner.
Reagimi vjen pas raportimeve në disa media amerikane, të cilat kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e sigurimit të të drejtave për zhvillimin e projektit, procedurat e ndjekura dhe ndikimin e mundshëm në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.

