Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar se lufta e Rusisë kundër Ukrainës mund të përhapet përtej kufijve të saj dhe të shndërrohet në një konflikt më të gjerë rajonal. Sipas tij, ngecja në fushëbetejë mund t’i shtyjë palët drejt veprimeve gjithnjë e më të rrezikshme, duke rritur rrezikun për vendet fqinje dhe për sigurinë e NATO-s.
Duke folur të enjten në Lisbonë, në përfundim të një vizite në tri vende anëtare të NATO-s – Islandë, Greqi dhe Portugali – Rubio tha se Uashingtoni beson se lufta duhet të përfundojë përmes negociatave dhe se Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të lehtësojnë përpjekjet diplomatike.
Paralajmërimi i tij erdhi në të njëjtën ditë kur, sipas autoriteteve ukrainase, një sulm rus ndaj dy autobusëve në qytetin e Kramatorskut shkaktoi të paktën 33 viktima.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Rubio e përshkroi situatën si luftime shumë të rrezikshme, të cilat kanë ngecur, duke theksuar se konflikte të tilla zakonisht përfundojnë ose përmes negociatave, ose përmes përshkallëzimit ushtarak.
Sipas tij, rruga diplomatike kërkon që të dyja palët të bëjnë lëshime të vështira, ndërsa alternativa tjetër mund të përfshijë përpjekje nga Rusia ose Ukraina për ta ndryshuar baraspeshën ushtarake përmes veprimeve më të rrezikshme.
“Kjo është shumë e rrezikshme”, tha Rubio, duke paralajmëruar se përshkallëzimi mund të përfshijë sabotime në vendet fqinje anëtare të NATO-s, sulme apo veprime të tjera që mund ta zgjerojnë konfliktin.
Këto zhvillime, sipas tij, mund ta shndërrojnë shpejt luftën mes Rusisë dhe Ukrainës në një përballje shumë më të gjerë dhe më të rrezikshme për rajonin.
“Në fund, ne nuk besojmë se do të ketë zgjidhje ushtarake. Ne mendojmë se kjo luftë duhet të përfundojë dhe se zgjidhja e negociuar është më e shpejtë dhe më e mirë”, theksoi shefi i diplomacisë amerikane.
Ministri i Jashtëm i Portugalisë, Paulo Rangel, mbështeti përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, duke e cilësuar pushtimin rus si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ai nënvizoi se çdo marrëveshje duhet ta respektojë sovranitetin e Ukrainës.
Rubio kërkon forcimin e kapaciteteve të NATO-s
Gjatë qëndrimit në Lisbonë, Rubio foli edhe për shpenzimet e mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, duke argumentuar se rritja e tyre duhet parë si investim në siguri, e jo thjesht si shpenzim shtesë.
Sipas tij, fuqizimi ushtarak i vendeve anëtare e forcon të gjithë aleancën dhe aftësinë e saj për të parandaluar kërcënimet.
“NATO-ja është e rëndësishme. Që NATO-ja të ketë rëndësi, ajo duhet të jetë e fortë”, deklaroi Rubio, duke shtuar se fuqia e aleancës varet nga kapacitetet e shteteve që e përbëjnë atë.
Ai pranoi se vendet anëtare kanë mundësi dhe rrethana të ndryshme, ndaj nuk mund të kontribuojnë të gjitha në të njëjtën mënyrë. Megjithatë, sipas tij, secili shtet duhet të zhvillojë kapacitetet më të fuqishme që mundet.
Rubio bëri thirrje edhe për bashkëpunim më të madh mes aleatëve në teknologjinë e avancuar ushtarake dhe zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të armëve, me synimin për t’u përgatitur për kërcënimet e ardhshme.
I pyetur nëse vendet evropiane mund të vazhdojnë të mbështeten te Shtetet e Bashkuara, në kushtet e ndryshimeve të mundshme në praninë ushtarake amerikane në Evropë, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së kapaciteteve të forta dhe të aftësisë parandaluese të NATO-s. Megjithatë, nuk dha hollësi për ndonjë zhvendosje të ardhshme të trupave amerikane.
Përplasje me Amnesty International për Iranin
Gjatë vizitës, Rubio komentoi edhe shqetësimet lidhur me përdorimin e bazës ajrore portugeze Lajes dhe akuzat për shkelje të mundshme të së drejtës ndërkombëtare. Ai nuk pranoi të komentonte një hetim në Portugali, duke thënë se kjo çështje u takon autoriteteve portugeze.
Ndërkohë, ai kritikoi ashpër organizatën Amnesty International, duke e akuzuar se nuk po i kushton vëmendje të mjaftueshme abuzimeve të pretenduara të autoriteteve iraniane ndaj protestuesve.
Rubio iu referua pretendimeve për vrasjen e dhjetëra mijëra njerëzve gjatë protestave në Iran dhe i cilësoi këto veprime si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Këto janë krime lufte. Këto janë krime kundër njerëzimit. Këto janë krime të kryera kundër popullit të tyre”, deklaroi ai.Burimi: REL.

