Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka bërë të ditur se autoritetet serbe ua kanë ndaluar hyrjen në Preshevë një delegacioni nga Kosova, i cili kishte planifikuar ta vizitonte për t’i shprehur ngushëllime pas vdekjes së babait të saj.
Në një reagim në Facebook, Sinani ka thënë se delegacioni përbëhej nga deputetet e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, Fatmire Mullhaxha Kollçaku dhe Liza Gashi, si dhe ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, dhe Ragmi Mustafi, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin.
Sipas Sinanit, Mustafi kishte përcjellë edhe mesazhin e ngushëllimit të kryeministrit Kurti për humbjen e prindit të saj.
Ajo ka theksuar se vizita nuk kishte karakter zyrtar, por synonte shprehjen e ngushëllimeve dhe respektimin e traditës shqiptare për të qëndruar pranë familjeve në raste vdekjeje.
Megjithatë, sipas saj, pas disa orësh pritjeje në pikën kufitare në Depcë, delegacioni u njoftua se nuk i lejohej vazhdimi i udhëtimit drejt Preshevës.
Për shkak të këtij vendimi, Sinani ka bërë të ditur se, së bashku me vëllezërit dhe familjarët e saj, i takoi deputetet dhe ambasadorin në vendkalimin kufitar, në territorin e Kosovës, ku pranoi ngushëllimet e tyre.
Sinani: Serbia e përfshin politikën edhe në raste vdekjeje
Kryetarja e Preshevës e ka cilësuar rastin si diskriminues, duke akuzuar autoritetet serbe se po ndërhyjnë edhe në marrëdhëniet njerëzore për shkak të përfshirjes së zyrtarëve të institucioneve të Kosovës.
“Serbia vendosi paturpësisht ta përfshijë politikën edhe në këtë rast”, ka shkruar Sinani, duke shtuar se ndalimi i vizitës ishte veçanërisht i rëndë për shkak të karakterit human të saj.
Ajo ka falënderuar deputetet, ambasadorin Jashari dhe delegacionin për gatishmërinë për të qenë pranë saj dhe familjes në këtë periudhë zie. Sinani ka shprehur gjithashtu keqardhje që nuk pati mundësi t’i priste në shtëpinë e prindërve të saj në Preshevë, sipas traditës së mikpritjes.
Në fund të reagimit, Sinani ka theksuar se, pavarësisht pengesave, raste të tilla nuk mund t’i shkëpusin lidhjet politike dhe shpirtërore mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Luginës së Preshevës.
“Edhe në rrethana gati të pamundura nuk do t’ia dalin të ndajnë as koordinimin politik, e aq më pak lidhjen tonë shpirtërore”, ka përfunduar ajo.

